“Kompromisi mes PD dhe PS, gjithmonë brenda kornizës ligjore”

LSI: Reforma zgjedhore, kusht i domosdoshëm për standardet evropiane
Lëvizja Socialiste për Integrim apeloi përsëri dje për një angazhim konkret të forcave politike për nisjen nga puna të reformës së re zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama, u shpreh se reforma elektorale është kusht i domosdoshëm për standardet.
Lidhur me negociatat e nisura nga PD dhe PS për një kompromis të mundshëm për zgjidhjen e ngërçit politik, përfaqësuesi i LSI-së, Rama tha se kushtetuta lejon bërjen e transparencës, por brenda kornizës së ligjit.
“LSI ka qenë gjithmonë pro dialogut dhe arritjes së konsensusit në tryezën e dialogut politik, pasi edhe kushtetuta e vendit krijon mundësi për të gjetur zgjidhje në respekt të kushtetutës dhe në garantimin e transparencës. Dialogu politik që po zhvillohet midis PD dhe PS është i fokusuar tek komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e procesit zgjedhor të realizuar vitin e kaluar. Dhe nga ana tjetër ka të bëjë me modalitetet e punës së këtij komisioni. Ky është një proces për të cilin ne nuk kemi arsye të dyshojmë, përkundrazi, shpresojmë dhe besojmë që produkti të jetë pozitiv dhe në të mirë të realizimit të asaj çka është kërkesa e palëve. Por domosdoshmëria për reformën zgjedhore, përfshirë këtu edhe reformën administrative është padyshim prioritare dhe apeli ynë faktorët polikë të angazhohen në realizim e kësaj reforme zgjedhore”, deklaroi më tej, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.