Përmirësohen të aksidentuarit, por vazhdojnë në gjendje kome dy të miturit

Të aksidentuarit e dy ditëve më parë në aksin rrugor Fushë Arrëz-Rrëshen, janë jashtë çdo rreziku për jetën, me përjashtim të dy të miturve që vazhdojnë të jenë në gjendje kome. 10 të plagosurit, pasi kanë marrë përkujdesjen e veçantë të mjekëve specialistë në spitalin Ushtarak, kanë dhënë dje shenja të ndjeshme përmirësimi.
Njëri nga të plagosurit ka dalë plotësisht nga gjendja e rrezikut dhe tashmë në reanimacion ndodhen 4 persona nga 5 që ishin një ditë më parë. është fjala për 15 vjeçaren Albiona Marku e cila i është nënshtruar një operacioni në zorrë i cili ka dalë me sukses.
5 të mbijetuarit e tjerë të tragjedisë së të shtunës kanë përmirësime të ndjeshme dhe nuk paraqesin shenja rreziku për jetën.
Por, nga ana tjetër, gjendja e dy fëmijëve të vegjël në spitalin Ushtarak vazhdon të jetë e rëndë. Mjekët janë optimistë për një përmirësim të lehtë të tyre në ditët në vijim. Anisa Mustafa dhe Erikson Peraj ndodhen nën vëzhgimin e vazhdueshëm të një ekipi mjekësh, por ende nuk mund të thuhet se kur mund të dalin nga rreziku për jetën.
“është një vajzë e vogël e familjes Mustafa, është në gjendje kome cerebrale. Ka qenë shumë rëndë në momentin që ka ardhur. Sot është më mirë. Sipas vlerësimit tonë mjekësor ka qenë në komë 4- pikëshe, sot është 5 pikë. Tregon që është më mirë. Erikson Pera është me dëmtime të pulmonit të majtë. është operuar natën e parë të traumës, por prapë është i sëmurë serioz. Ndiqen nga një ekip i përbërë nga mjekë të spitalit ushtarak dhe nga një specialist i sanatoriumit”, deklaron kirurgu Sami Koçeku njëherazi zëvendësdrejtor i spitalit Ushtarak.