Ministri Lulzim Basha viziton të afërmit e viktimave, garanton përkujdesje të qeverisë së kryeministrit Berisha

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha vizitoi dje familjet e disa prej viktimave të aksidentit tragjik në Fushë- Arrëz ku humbën jetën 14 persona. Basha ishte për vizitë ngushëllimi në familjet Paloka, Gjoni dhe Marku në Komunën Gjegjan të Pukës dhe tek familja Mustafa në Fushë-Arrëz.
Duke u shprehur ngushëllimet në emër të Ministrisë së Brendshme, Basha siguroi familjarët e viktimave të aksidentit për mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave shtetërore për përballimin e humbjes së njerëzve të tyre të dashur.
Familjarët e viktimave të aksidentit vlerësuan reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të aksidentit tragjik dhe për t’i transportuar në spitalin ushtarak, si dhe përkujdesjen ndaj të plagosurve nga ana e personelit shëndetësor. Basha informoi familjarët e viktimave se me porosi të kryeministrit Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga qeveria vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit.