Lidhin çobanin, i vjedhin çiften dhe këmborën
Lidhin me litar bariun në stan për t’i vjedhur një çifte dhe një këmborë, bien në prangat e policisë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se mbrëmjen e së shtunës kanë arrestuar dy të rinj nga fshati Libohovë. Ata janë Florian Lile, 24 vjeç, dhe Manxhar çaushi, 27 vjeç, ky i fundit ka qenë i dënuar më parë për vjedhje. Të njëjtat burime saktësojnë se dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me dhunë në stanin e tij një çoban, duke e rrahur dhe keqtrajtuar fizikisht. Më pas e kanë lidhur atë me litar për t’i grabitur çiften që ai mbante në stan dhe një këmborë bagëtie. Ngjarja e dhunshme ka ndodhur rreth orës 02.00 të së shtunës, ndërsa ndalimi i autorëve është bërë pas denoncimit në polici, mbrëmjen e së njëjtës ditë. Burimet zyrtare të policisë thanë se arrestimi i dy të rinjve u bë pas denoncimit të një çobani nga Libohova. Ky i fundit ka pretenduar se dy të rinj i kishin shkuar në stan dhe pasi e kishin keqtrajtuar dhe lidhur me litar, i kanë vjedhur çiften dhe një këmborë të bagëtive. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë së Komisariatit Gjirokastër, si dhe të seksionit kundër krimeve ndaj pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët pas hetimeve të para kanë mundur të zbulojnë se dy të arrestuarit e lartpërmendur. Sipas policisë, të rinjtë kanë shkuar në Labovën e Kryqit, në stanin e shtetasit P.ç. nga Libohova. Pasi janë futur në kasolle e kanë rrahur dhe keqtrajtuar çobanin, i kanë kërkuar lekët dhe më pas e kanë lidhur me litar. Duke u larguar kanë vjedhur një armë gjahu çifte dhe një këmborë të bagëtive. Rreth orës 05.00, të mëngjesit në stan ka shkuar bariu tjetër, me të cilin janë ortakë, i cili e ka zgjidhur dhe ka lajmëruar policinë. “Pas një pune të mirëfilltë profesionale, hetimore u arrit të zbardhej plotësisht ngjarja, ndërsa autorët u arrestuan në flagrancë. Ndërkohë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale çiftja dhe këmbora që kishin vjedhur në stan”, ka deklaruar zyrtarisht zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai. Mësohet se çiftja dhe këmbora e bagëtive u gjetën në stanin e shtetasit Manxhar çaushi, i cili është një nga autorët e arrestuar. Ndaj dy të rinjve rëndojnë akuzat e “vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
#