E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Vidohovës, familjarët e viktimave në protestë

Me tri arkivole dhe kurora me lule kanë bllokuar rrugën. Kërkojnë dënim maksimal për Besim Karajn

Dënimi me 25 vjet burg i autorit të masakrës së Vidohovës ka ngjallur reagimin e të afërmve të tre viktimave, vëllezërve Mulliri. Me tri arkivole të improvizuar, kurora me lule dhe fotografitë e tre vëllezërve, të afërmit e tyre kanë bllokuar mëngjesin e djeshëm qendrën e qytetit të Bilishtit. Kjo protestë e pazakontë ka ardhur nga të afërmit e tre viktimave: Taulant, Edlevan dhe Xhiljan Mulliri. Ata kanë reaguar të revoltuar për dënimin vetëm me 25 vjet heqje lirie të autorit të vrasjes së trefishtë në fshatin Vidohovë, Besim Karaj. Kanë qenë familjarë të viktimave që kanë vënë në rrugë arkivolet simbolike për të protestuar në sheshin e qytetit dhe për të shprehur pakënaqësitë ndaj vendimit të marrë më 26 prill të këtij viti nga togat e zeza të Gjykatës së Faktit të Korçës. “Kërkojmë që autori i tri vrasjeve të varet në litar. Dënimi është qesharak. Ai duhet të varet se na ka hapur tri varre. Këto tri arkivole do të thonë nga tetë vite burg për secilin nga gjykatësit që kanë marrë lekë për ta favorizuar dhe për t’i dhënë një dënim të ulët”, ka akuzuar babai i tre viktimave, Xhevahir Mulliri. Të paktën dhjetë persona nga familja e viktimave janë përballur me policinë, për shkak të daljes në rrugë për protesta, që sipas uniformave blu ka qenë e paligjshme dhe e pavend. Kjo për faktin se në kushtet kur kontestohet vendimi i gjykatës, të afërmit mund të zgjidhnin për të zhvilluar protestën përpara këtij institucioni dhe jo në një shesh publik. Por të afërmit e Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mullirit, kanë deklaruar se krimi i rëndë duhet të çojë në dënimin maksimal të autorit. Edhe pas përballjes me policinë lokale, të afërmit e tre viktimave nuk kanë ngurruar që të vijojnë protestën duke marshuar në bulevardin kryesor të qytetit deri në afërsi të Komisariatit të Policisë së Devollit. Të shoqëruar nga forcat policore, familjarët kanë tentuar të bllokojnë rrugën nacionale, por më pas kanë vendosur arkivolet para ndërtesës së komisariatit, për faktin se kanë pakënaqësi ndaj institucioneve të shtetit që nuk parandaluan krimin dhe më tej nuk çuan në dënimin maksimal të autorit. Babai i viktimave ka shprehur pakënaqësi edhe për faktin se seancat gjyqësore janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe, sipas tij, në asnjë rast nuk janë marrë në pyetje familjarët për arsyet që çuan drejt këtij krimi. Për policinë protesta ka qenë e paligjshme dhe kjo ka bërë që të afërmit të konfrontohen me uniformat blu, të cilët kanë bërë edhe shpërndarjen e tyre. Ndërkohë që forcat policore të zonës kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati babanë e tre viktimave, Xhevahir Mulliri. Kjo është hera e dytë që familjarët e tre vëllezërve Mulliri protestojnë për dënimin e autorit të vrasjes së trefishtë. Mesditën e 29 janarit të këtij viti, Besim Karaj ekzekutoi me armë zjarri tre vëllezërit Taulant, Edlevan dhe Xhiljan Mulliri, në mes të fshatit Vidohovë. Karaj kishte zbuluar lidhjen intime të bashkëshortes së tij me më të madhin e vëllezërve Mulliri, Taulantin, 26 vjeç. Rreth një muaj më parë, më 26 prill, Gjykata e Korçës vendosi dënimin me 25 vjet burg për autorin e vrasjes së trefishtë, pas pranimit të fajit. Kjo solli uljen me 1/3 e masës së dënimit, çka e përjashtoi Karajn nga dënimi me burg të përjetshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›