Nëna vrasëse mohon krimin përpara togave të zeza
“Nuk e vrava unë djalin. E gjeta të vrarë”. Kështu është shprehur përpara togave të zeza 23-vjeçarja Sonila Lumi, nëna që dyshohet se vrau fëmijën e saj 18-muajsh, pasi nuk duronte dot të qarat e tij. Autorja ka mohuar krimin para gjykatësve të Korçës, ku ka dalë për masën e vlerësimit të ndalimit të saj dy ditë më parë nga ana e Policisë së Korçës. Nëna e re në moshë ka mohuar të ketë qenë ajo autorja e krimit të rëndë, duke thënë se fëmijën e kishte gjetur të vdekur dhe se ka gjasa që të jetë rrëzuar nga krevati. Edhe pse provat e grumbulluara nga ekspertët kriminalë janë kundër saj, kur është njohur me akuzën e vrasjes në kushte të cilësive të veçanta të viktimës ndaj të miturve e parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, gruaja nuk ka ngurruar ta përjashtojë veten nga krimi. Madje edhe kur nga ekspertizat mjekoligjore ka rezultuar se në trupin e fëmijës Kristjano Lumi janë konstatuar shenja dhune dhe mbytjeje, 23-vjeçarja e ka mohuar të ketë qenë autorja e krimit. Dy ditë më parë, kur është arrestuar, Sonila Lumi ka pranuar krimin përpara uniformave blu. Ajo ka thënë për policinë se e ka rrahur fëmijën e vet, pasi qante shumë dhe nuk e duronte dot, ndërkohë që deklaratat e saj i ka mohuar në daljen e parë para trupit gjykues për vlerësimin e masës së sigurisë. Me gjithë deklaratën e Lumit, Gjykata e Faktit në Korçë ka vendosur “burg pa afat” për 23-vjeçaren. Seanca për vlerësimin e kësaj mase sigurie është zhvilluar paraditen e së dielës dhe prokurori i çështjes ka kërkuar që e pandehura të mbetet në burg pa afat. Këtë kërkesë nuk e ka rrëzuar as trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Markeljan Kuqo. Akuza që rëndon mbi 23-vjeçaren Sonila Lumi nga fshati Zëmblak i rrethit të Korçës, është ajo e vrasjes në kushtet e cilësive të veçanta të viktimës që parashikon një dënim nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Për faktin se bëhet fjalë për një dënim të rëndë në bazë të akuzës, 23-vjeçarja është përpjekur të mohojë krimin e kryer prej saj, duke thënë se fëmijën e gjeti të vdekur.
#