E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Bushatit me rrugë të asfaltuara

16/06/2009  Investimet në miliona lekë

SHKODER- Komuna e Bushatit do të bëhet e para zonë rurale në të gjithë qarkun e Shkodrës, që do të ketë të gjitha rrugët e asfaltuara. Gjatë kësaj jave po punohet pa ndërprerje për të përmbyllur fazën e fundit të projektit për shtrim -asfaltimin e rrugës kryesore, që shërben për të realizuar lidhjen e të gjitha rrugëve të kësaj komune, më e madhja në qark, me rrugën nacionale Shkodër-Tiranë. Sipas drejtuesve të komunës Bushat, të cilët po ndjekin çdo ditë punimet, rruga që po vishet këto ditë me shtresën e fundit të asfaltit është rruga e fundit që kishte mbetur pa u asfaltuar. Aksi në fjalë ka një gjatësi prej 1,5 kilometër dhe ka qenë një nga më të dëmtuarit në Komunën e Bushatit ku jo vetëm kalimtarët, por edhe automjetet qarkullonin me mjaft vështirësi për shkak të gropave të shumta. Për shtrimin e kësaj rruge u akordua nga qeveria një fond prej 30 milionë lekësh. Ndërkohë banorët e kësaj zone janë shprehur mjaft të entuziazmuar pasi gjatë gjithë këtyre viteve stërmundoheshin rrugëve të pakalueshme plot gropa me ujë, të cilat në dimër bllokoheshin krejtësisht. Prej 18 vitesh askush nuk ishte kujtuar të vinte dorë në rrugët e kësaj komune duke ua bërë tejet të vështirë jetesën banorëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›