Ministri Basha premton zhvillim të infrastrukturës
16/06/2009 Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha gjatë një takimi me banorë të komunës së Mollasit ka deklaruar se shumë shpejt do të nisë shtrimi i rrugës nga komuna e Klosit deri në Mollas. Në këtë takim Basha, i cili renditet i pari në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, ka thënë se kjo rrugë, e cila është një arterie shumë e rëndësishme për zonën, më pas do të vijojë në Selitë për t’u lidhur me rrugën nacionale. Gjatë këtij takimi, në bashkëbisedim me banorë dhe tregtarë, ministri Basha ka theksuar se qeveria e Kryeministrit Sali Berisha do të subvencionojë prodhimet, naftën dhe inputet për sipërfaqen e mbjellë. Ai ka deklaruar se një ndër prioritet kryesore të qeverisë është furnizimi me ujë për 24 orë. “Dritat i sollëm, uji është tani. Dikush ka pus, dikush nuk ka. Ujë 24 orë për çdo shtëpi është prioriteti ynë. Është hapur tenderi për segmentin nga Klosi deri në qendër të Mollasit dhe kjo rrugë do të asfaltohet sipas parametrave optimalë. Jo vetëm kaq, premtimi ynë është që brenda 12 muajve nga Mollasi do ta çojmë deri në Selitë rrugën e asfaltuar dhe pjesë e këtij projekti do të jetë riasfaltimi deri në Gostim, ku lidhet dhe me rrugën nacionale”, - ka deklaruar ministri Basha.