E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani sulmon nënkryetaren Subashi

16/06/2009  Raporti i BMM-së, KQZ rrëzon kërkesat e katër subjekteve zgjedhore

“Po kërkoni të futni në qorrsokak punën e komisionit”

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka përsëritur sërish dje akuzën drejtuar kundërshtarëve të tij politikë, anëtarë të komisionit, se po përpiqen të shkatërrojnë punën e komisionit. Deklarata e kreut të këtij institucioni u bë gjatë mbledhjes së djeshme, gjatë diskutimit të kërkesave të subjekteve zgjedhore drejtuar KQZ-së lidhur me shkeljen e Kodit Zgjedhor nga operatorët televizivë për mosrespektimin e balancës politike të detyrueshme në fushatë. KQZ-ja pas diskutimeve disaorëshe rrëzoi kërkesat e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane, duke shmangur njëkohësisht sanksionet ndaj televizioneve ndaj të cilave u ngrit pretendimi. Debatet u bënë në prani të bordit të monitorimit të medieve, të cilët të ndarë në dy grupe kishin paraqitur pranë komisionit 2 raporte të ndryshme javore.

Debatet politike

Por debatet e djeshme mes përfaqësuesve të subjekteve politike dhe anëtarëve të KQZ-së i kaluan kornizat e një debati teknik dhe ligjor lidhur me çështjen në fjalë. “Zoti Kosovrasti, megjithëse e drejtoni ju mbledhjen, edhe pse jo zyrtarisht, mos ndërhyni kur flas. Po më ndërpritni fjalën për të disatën herë. Zoti kryetar, nëse ai më ndërpret, do të kërkoj ndërprerjen e mbledhjes”, - tha nënkryetarja e komisionit Dëshira Subashi. Ajo kërkoi përjashtimin nga diskutimi të kërkesës së Partisë Demokratike për shkak të paraqitjes, sipas saj, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Por nënkryetarja u akuzua nga kryetari Arben Ristani për pretendimin në fjalë se kërkon të prish mbledhjen. “Përdorja e skemave që lidhen me afate që s’janë në ligj, si ato që të tipit ‘i solla listat më 12 të natës’ janë përpjekje për të futur në qorrsokak punën e komisionit, që të mos shqyrtohen disa ankesa. Unë them t’i shqyrtojmë të gjitha ankesat”, - tha Ristani. Për këtë ai la në dispozicion të BMM-së një orë kohë për verifikimin e kërkesave nëse ishin të drejta ose jo, me qëllimin shqyrtimin e tyre më pas nga KQZ-ja. “Kërkesat nuk mund t’i marrim të mirëqena, por duhet t’i verifikojmë. Jo ne, por BMM-ja si organ i specializuar. Pra, përpara se t’i shqyrtojmë kërkesat, t’i dërgojmë për verifikim”, - tha ai.

Kërkesat

Referuar raporteve javore të BMM-së, përfaqësuesit e partive politike, pasi bënë një pasqyrim të situatës për subjektet e tyre, kërkuan nga KQZ-ja që televizionet përgjegjëse të kompensonin kohën që nuk u kishin dhënë gjatë transmetimit të fushatës. “Meqenëse BMM nuk propozoi kompensimin e kohës ndaj partive që u është ngrenë kjo kohë, ne i jemi drejtuar KQZ-së për ta bërë këtë”, - tha përfaqësuesi i LSI-së Ilirian Muho. Ndërsa anëtarët e KQZ-së ngritën shqetësimin e tyre lidhur si me prezantimin e dy raporteve nga BMM, por edhe për mungesën e sanksioneve, që sipas tyre duhet të kërkonte BMM për disa televizione.“ KQZ merr vendimet e saj vetëm nëse raporti i BMM-së shoqërohet edhe me sanksione”, - tha anëtari Klement Zguri. Komisioni nuk sqaroi nëse BMM duhet të përllogarisë brenda minutazhit të qeverisë ose subjektit politik inaugurime të tilla si Durrës–Kukës dhe debatet për kartat e identitetit.

Debatet

Muho

“Këtu ka një kërkesë dhe KQZ-ja duhet ta diskutojë. Nga anëtarët e KQZ-së nuk duhet të ketë frikë për të zbatuar ligjin.”

Subashi - Muhon

“I them përfaqësuesit të LSI-së se KQZ-ja nuk ka frikë për të zbatuar ligjin dhe se ai duhet të jetë korrekt dhe i kujdesshëm në komentet që bën, pasi askush nga përfaqësuesit e partive politike nuk ka të drejtë të komentojë punën e KQZ-së.”

Subashi - Kosovrastit

“Mos ndërhyni kur flas, zoti Kosovrasti, megjithëse e drejtoni ju mbledhjen, edhe pse jo zyrtarisht. Për të disatën herë më ndërpret fjalën. Zoti kryetar, nëse ai më ndërpret sërish, do të kërkoj ndërprerjen e mbledhjes. Zoti Kosovrasti nuk duhet të hapë mikrofonin sa herë flas unë.

Ristani - PS-së

“Përdorja e skemave që lidhen me afate që s’janë në ligj, si ato që të tipit ‘i solla listat në 12 të natës’, janë përpjekje për të futur në qorrsokak punën e komisionit, që të mos shqyrtohen disa ankesa. Unë them t’i shqyrtojmë të gjitha ankesat.”

Ristani subjekteve

“Ju lutem mos flisni pa leje, pavarësisht se nënkryetari i KQZ-së nuk ju tërheq vërejtje.”

Lazaj - Ristanit

“Ligji e do që komisioni të ketë një kryetar dhe nënkryetar, por gjithsesi ne të gjithë jemi të barabartë. Kur anëtarët marrin fjalën, përfaqësuesit e subjekteve politike nuk duhet të ndërhyjnë.

Varfi - Ristanin

Qëndrimi juaj si kryetar nuk ju lejon t’i etiketoni anëtarët e KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›