E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunalja e Plazhit padit Inspektoratin e Mjedisit

23/08/2010 Kundërshton gjobën e vendosur për higjienën

DURRES- Ndërmarrja e Pastrimit dhe e Gjelbërimit në zonën e Plazhit të Durrësit do të bëjë kallëzim në gjykatën e rrethit për të kundërshtuar gjobën e vendosur ditë më parë nga Ministria e Mjedisit. Drejtori i kësaj ndërmarrje Ali Karaj ka bërë të ditur se gjoba në shumën 1 milion lekë e vendosur nga Inspektorati i Mjedisit nuk është e mbështetur në asnjë dispozitë ligjore. Karaj ka pohuar se ka përgatitur një relacion të plotë lidhur me higjienën dhe pastërtinë në lagjen numër 13 që njihet ndryshe edhe si Plazhi i madh në Durrës. Në të ai i ka bërë të ditur ministrit Fatmir Mediu se Ndërmarrja e Shërbimit të Pastrimit dhe Gjelbërimit ka kryer me shumë përgjegjësi higjienizimin e zonës që mbulon. Inspektorët e mjedisit, sipas drejtorit të ndërmarrjes, kanë inspektuar zonën pa pasur asistencën e punonjësve apo drejtuesve të ndërmarrjes. “Nuk dimë se ku kanë kontrolluar inspektorët pasi në procesverbalin e tyre gjërat janë të pasakta dhe të paqarta”,-ka thënë Karaj. Ky i fundit thekson se edhe pas inspektimit askush nga mjedisi apo ministria e linjës nuk ka marrë takim për t’u bërë të qartë atë që kanë parë në terren. “Unë jam vënë në dijeni nga të tjera lidhur me gjobën që na është vënë si ndërmarrje”,-ka thënë Karaj. Sipas tij, veprimi i inspektorëve të mjedisit është i pambështetur pasi në rast kontrolli ata duhet detyrimisht së paku të kishin vënë në dijeni bashkinë apo ndërmarrjen. “Ditën e hënë unë do të depozitoj padi në gjykatë lidhur me këtë gjobë dhe do të kërkoj një informacion të plotë e të detajuar për vendin ku është ushtruar kontrolli, pikat e ndotura që janë inspektuar, ekipin përbërës të kontrollit dhe procesverbalin e tyre”,-është shprehur drejtori i ndërmarrjes. Karaj është i bindur se shërbimi i pastrimit dhe higjienës në Plazh ka ecur shumë mirë. Këtë vit janë shtuar koshat në breg të detit dhe në rrugë e rrugica, si dhe kazanët në pikat e caktuara. Për herë të parë Plazhi pastrohet dy herë në ditë duke nisur me largimin e mbeturinave urbane në mëngjes dhe më pas transporti i tyre çdo mbrëmje për në pikat e grumbullimit të mbetjeve urbane. Karaj ka thënë se ende nuk ka në zyrë një procesverbal apo faturë të gjobës dhe se gjithçka e ka mësuar nga të tjerë. Nga ana tjetër ka reaguar edhe kreu i këtij inspektimi, Hajrulla Paturri. Ai ka thënë se gjobat janë vënë në mbështetje me dispozitat ligjore dhe se ka në dosje të gjitha materialet lidhur me masat që ka marrë si dhe me njoftimet paraprake që u janë bërë subjekteve. Inspektorati ka gjobitur disa njësi, institucione dhe subjekte lidhur me ndotjen urbane, ndotjen akustike dhe ujërat e zeza, të cilat derdhen në det. Kështu Bashkia e Durrësit është gjobitur me 1 milion lekë. Po kaq është penalizuar ndërmarrja e pastrimit në Plazh, komuna Ishëm, Rashbulli, Xhafzotaj e Bubq, si dhe subjekti NATO sh p k. Pas tyre vjen ndëshkimi për zhurmat e natës me nga 50 mijë lekë për disa subjekte private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›