Komunat serbe: Ne pjesë e Serbisë, BE po na pushton
• Liderët e komunave serbe u takuan dje në Mitrovicë për të dalë me një deklaratë të përbashkët, se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe se do të krijojnë Parlamentin dhe institucionet e tyre në bashkëpunim me Beogradin."Ne do të mbetemi pjesë e Serbisë dhe do të kemi Parlamentin tonë në përputhje me ligjet serbe", kanë deklaruar krerët e komunave serbe në Mitrovicë. Marko Jaksiç, përfaqësues i listës serbe për Kosovën, u bëri thirrje të gjithë serbëve të injorojnë provokimin e Hashim Thaçit për pavarësinë dhe joshjen, se ata do të trajtohen si pjesë e komunitetit. Ai u kërkoi të mbeten brenda shtetit serb". Jaksiç shtoi se, "në bashkëpunim me qeverinë serbe, zgjedhjet lokale në Mitrovicë do të mbahen më 11 maj dhe më pas do të formohet parlamenti i serbëve të Kosovës". Sa për Misionin e BE-së, bashkësia e komunave dhe vendbanimeve serbe në Kosovë e konsideron atë si akt pushtimi. Jaksiç paralajmëroi mbajtjen më 18 shkurt të një numri mitingjesh në pjesë të ndryshme të Kosovës, me qëllim të kundërshtimit të pavarësisë. "Misioni i BE-së është mision pushtues, që duhet bojkotuar, përfshi dhe refuzimin për t'i shitur ushqime dhe kafe në restorante", tha një tjetër udhëheqës i serbëve të Kosovës, Milan Ivanoviç. Ndërkohë fokusi i misionit të Sigurisë së KFOR-it është bërë Mitrovica. Koloneli Langard i KFOR-it siguroi të pranishmit se janë marrë të gjitha masat dhe që nga dita e sotme është shtuar prania e pjesëtarëve të KFOR-it nëpër zonat e ndjeshme. Mitrovica tashmë është blinduar nga forcat ndërkombëtare të sigurisë. "Bashkë me pjesëtarët e SHPK-së dhe policisë së UNMIK-ut jemi fokusuar në zonat e ndjeshme, si vendbanimet shqiptare në veri dhe ato serbe në jug të Mitrovicës", tha zyrtari i KFOR-it. Koloneli Langard tha se KFOR-i do të jetë vigjilent në të gjitha drejtimet. Bashkë me KFOR-in janë bashkuar edhe forcat e sigurisë së Kosovës. Kreu i bashkisë së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se situata hë për hë është e sigurt, por nuk dihet se ç'mund të ndodhë në kufi në ditën e madhe të pavarësisë.