“T’i hiqet mandati kandidatëve që s’tregojnë ‘xhepat”
• Shoqëria Civile propozon masa ekstreme deri në heqjen e mandatit të fituar për ata deputetë të cilët nuk deklarojnë financimet gjatë fushatës elektorale.Adi Shkëmbi Në kuadër të diskutimeve për reformën zgjedhore, Rrjeti i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA) dhe Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) kanë prezantuar dje dokumentin "Praktika zgjedhore dhe reforma", ku kanë rreshtuar rekomandimet e tyre për disa nga pikat më të diskutueshme të kësaj reforme. Rekomandimet kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor, administratën zgjedhore, procesin e votimit dhe numërimit, financimin e partive politike, ankimet dhe apelimet, media dhe vëzhguesit si dhe referendumet. Financimi i partiveNjë nga pikat, ku të dyja kahet politike janë zotuar për hartimin e një drafti ligjor ka qenë pikërisht financimi i partive politike gjatë fushatave elektorale. Sipas këtij dokumenti të Shoqërisë Civile, në zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2007 ka pasur një bazë ligjore që i detyronte forcat politike të tregonin të ardhurat. Pikërisht në këtë pikë, Shoqëria Civile rekomandon masa ekstreme për subjektet dhe kandidatët që nuk zbatojnë këtë ligj. "Aplikimi i sanksioneve të rrepta ndaj shkelësve duhet të jetë në qendër të vëmendjes së KQZ-së, gjatë procedurave të shqyrtimit të raporteve financiare të partive politike. Mos hezitimi në aplikimin e sanksioneve, deri në heqjen e mandatit të fituar, do t'i shërbente krijimit të një klime më të shëndetshme në këtë aspekt", thuhet në një nga rekomandimet e NOSA dhe ECA. RekomandimetLidhur me sistemin zgjedhor, rekomandohet që ai të mos jetë pjesë e kushtetutës. Në të njëjtën kohë, propozohet që sistemi zgjedhor duhet të jetë i tillë që të sigurojë me një mundësi të madhe një maxhorancë qeverisëse të qëndrueshme në gjendje që të zhvillojë reformat e momentit, por njëkohësisht duhet t'i japë mundësi pakicës që të ketë rol të fortë në shprehjen e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të saj ndaj programit të qeverisë dhe ecurisë së saj. Përsa i përket administratës zgjedhore, rekomandohet që KQZV-të dhe KZZ-të të kthehen sërish me 7 anëtarë dhe të shikohet mundësia që ky numër të reduktohet në 5. Në marrëveshjen e janarit të vitit të kaluar, këto KZQV-të u bënë me 13 anëtarë plus një sekretar. Gjithashtu propozohet që kodi zgjedhor të parashikojë sanksione shtrënguese ndaj komisionerëve zgjedhorë të cilët kryejnë shkelje si të karakterit administrativ ashtu edhe të karakterit penal. Lidhur me procesin e votimit dhe numërimit, shoqëria civile propozon që kodi zgjedhor të qartësohet lidhur me veprimet që KQV-ja ndërmerr në mbyllje të procesit të votimit. Votimi, sipas këtyre rekomandimeve, duhet të mbyllet në një orar të caktuar me ligj dhe jo me vendim të KQV-së. Në momentin e mbylljes së votimit identifikohen, nëse ka, zgjedhësit që ndodhen në radhë, të cilëve u merren kartat e identitetit dhe procedohet me thirrjen e tyre për të votuar sipas radhës. Përsa i përket rekomandimeve që kanë të bëjnë me mediat dhe vëzhguesit, propozohet që në caktimin e kohës radiotelevizive për partitë politike nuk duhet të jetë kriter përcaktues rezultati elektoral i zgjedhjeve të shkuara.sondazhi70.8% votojnë për kandidatinSipas një sondazhi të kryer nga SOROS, ECA dhe instituti "Agenda" rezulton se 70.8% e të intervistuarve gjykojnë si më të rëndësishëm kandidatët që konkurrojnë në raport me subjektin politik apo edhe lidershipin e subjektit politik. Përgjigjet për këtë pyetje tregojnë se elektorati shqiptar është i prirur dhe parapëlqen cilësitë e kandidatit në raport me cilësitë e subjektit që e kandidon atë apo edhe vetë kryetarit të subjektit politik. Në të njëjtën kohë 35.6% e të intervistuarve gjykojnë si më të rëndësishëm partinë dhe 31.3% gjykojnë si më të rëndësishëm kryetarin e partisë. 11.6% iu është ofruar shpërblim në këmbim të votësPyetjes nëse forca politike apo kandidatët në zgjedhje iu kanë ofruar shpërblim në këmbim të votës, 11.6% kanë deklaruar se iu është ofruar një gjë e tillë. Në të njëjtën kohë rezulton se 85.2% e të intervistuarve janë shprehur se nuk u janë ofruar shpërblime apo dhurata personale në këmbim të votës së tyre. Nga shifra 11.6% të cilës i është ofruar shpërblim, 24.9% kanë deklaruar se i kanë marrë dhuratat apo shpërblimet personale, pas zhvillimit të zgjedhjeve, kurse 65.9% shprehen se premtimet për dhurata dhe shpërblime nuk janë mbajtur. 54.8%, kandidatin ta zgjedhë elektoratiNga sondazhi i kryer me 1497 persona, mbi 18 vjeç, rezulton se 54.8% e tyre të jenë shprehur se kandidatin duhet ta zgjedhë vetë elektorati, ndërkohë që 33.7% preferojnë të votojnë për kandidatin që është caktuar paraprakisht nga partia. "Interpretimi i saktë i përgjigjeve të marra dhe raportit që ato krijojnë mes tyre, mund të lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me sistemin që do të preferonin zgjedhësit. Gjysma e zgjedhësve shqiptarë do të preferonin të zgjidhnin mes shumë alternativave, ndërkohë që mbetet përsëri në zgjedhjen tradicionale të partisë që simpatizojnë", thuhet në sondazh. 29.3%, presidenti më i besueshmi për administrimin e zgjedhjeveNga sondazhi i kryer në korrik të vitit 2007, rezulton se institucioni i presidentit është më i besueshmi nga qytetarët, me 29.3% për administrimin e zgjedhjeve. Pas tij vijnë me radhë Kolegji Zgjedhor me 26.3%, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 25.3%, Policia me 21.4%, Qeveria me 16.4%, Kuvendi me 11.9% dhe partitë politike me 8.1%. "Nga shifrat vihet re tendenca e mendimit qytetar për t'i besuar një rol primar në administrimin e zgjedhjeve institucioneve të cilat mbartin mbi vete karakteristika jo politike dhe që shfaqen më së shumti si organe të cilat nuk kanë një ndërhyrje thelbësore në politikën e përditshme", thuhet në sondazh.