E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Kuvendi me ligjet e Ahtisarit

• Ligjet e paketës së Ahtisarit do të miratohen me...tirane   ... procedura më të shpejta në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ka miratuar dje me dy të tretat e votave një mocion të ngritur nga pesë grupe parlamentare me të cilin anashkalohet Rregullorja e Punës së Parlamentit për mënyrën e miratimit të ligjeve në propozimin e Ahtisarit për zgjidhjen e statusit. Të 34 ligjet bazike shtetërore, 22 prej të cilave burojnë drejtpërdrejt nga Propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Marti Ahtisari, parashihet që vetëm për tri ditë pune t'i kalojnë të gjitha procedurat parlamentare dhe të hidhen si paketë për votim në Kuvend. Shumica e deputetëve të opozitës e përkrahën këtë mocion, me arsyetimin se opozita nuk do të jetë opozitë për çështjet dhe vendimet që ndihmojnë finalizimin e shpalljes së pavarësisë. Miratimi i ligjeve të paketës së Marti Ahtisarit është hapi i parë zyrtar drejt njohjes së pavarësisë, që është mesazhi kryesor i ish të dërguarit special të OKB-së për statusin e Kosovës. Kuvendi miratoi edhe propozimin e Kryeministrit Thaçi për emërimin e tre zëvendësministrave që vijnë nga minoritetet. Sasha Rashiç mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Usmen Balldashi, zv/ministër i Arsimit dhe Raif Elezi, zv/ministër i Pushtetit Lokal. Nisma e Thaçit ishte në përputhje me angazhimin e tij për përfshirjen e minoriteteve në qeverisjen e Kosovës, si pjesë me të drejta të plota të shoqërisë kosovare.    Pavarësia pa datëKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dje zhvilloi një takim me gazetarët në Prishtinë. Ndryshe nga sa prisnin të gjithë, deklarata e tij nuk kishte të bënte me datën në të cilën do të shpallet pavarësia. Shumë janë përgatitur që kjo ditë të jetë 17 shkurti, e diela, por zyrtarisht Thaçi nuk ka dhënë asnjë shenjë për datën e shpalljes së pavarësisë. Kryeministri kosovar deklaroi se institucionet e Kosovës janë duke funksionuar të pavarura dhe qeveria e tij do të vazhdojë së punuari në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe se do t'i garantojë të gjitha të drejtat për pakicën serbe dhe pakicat e tjera. Thaçi ka ftuar të gjithë të zhvendosurit që të kthehen, sepse në Kosovë do të kenë të ardhme të sigurt.SkenareSipas "Reuters", disa skenarë të mundshëm që mund të ndodhin pas shpalljes së pavarësisë janë: Perëndimi njeh pavarësinë dhe më pas misioni i BE-së merr udhë të mbarë e pas tij edhe njohja e Kosovës. Serbia do të tërheqë ambasadorët e saj nga vendet që do ta njohin pavarësinë. Një tjetër skenar është direktiva e Beogradit që serbët e Kosovës të mos ta njohin pavarësinë dhe të refuzojnë ndarjen nga Serbia.Lulzim BashaGjatë takimit të ministrave të Jashtëm të organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi dhe BE, ministri Lulzim Basha pati një takim me zv.ministrin e parë të Jashtëm rus Denisov. Në një takim që zgjati rreth 1 orë u diskutua për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-ruse pas pavarësisë së Kosovës. Ministri Basha, duke e cilësuar një çështje të mbyllur pavarësinë e Kosovës, shprehu angazhimin e Shqipërisë për marrëdhënie të mira dypalëshe dhe për të zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme.Meta me PSEKryetari i LSI, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e organizuar nga drejtuesit e PSE në Lubjana të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. "Kosova duhet të jetë një model për bashkëjetesën etnike, duke garantuar të drejtat demokratike për çdo komunitet, përfshi edhe pakicat serbe", tha Meta. Sipas tij,  "zgjidhja e çështjes së Kosovës do t'i shërbejë edhe Serbisë për lënien pas të së shkuarës dhe integrimit të saj evropian".Ruli: Do i japim energji KosovësQeveria shqiptare është treguar e gatshme të ndihmojë Kosovën në rast se do të ketë një embargo nga ana e Serbisë. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli. Ai është shprehur se, KESH është në kontakt të vazhdueshëm me KEK dhe në rast se do të ketë nevojë për energji Korporata do të nisë eksportin e energjisë elektrike drejt Kosovës. Sipas Rulit, KESH ka dërguar energji në Kosovë edhe më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›