Tadiç betohet: Nuk do të heq dorë kurrë nga Kosova
• Presidenti serb, Boris Tadiç, është betuar dje se nuk do të heqë dorë kurrë nga lufta e tij për të mos humbur Kosovën.Lideri serb doli dje para parlamentit të vendit të tij, duke u betuar për dy synimet e mëdha të mandatit të tij: të ndalojë pavarësinë e Kosovës dhe të integrojë Serbinë në Bashkimin Evropian. "Nuk do të dorëzohem asnjëherë në betejën për ta mbajtur Kosovën dhe do të përpiqem me të gjitha fuqitë e mia që ta bëj Serbinë anëtare të Bashkimit Evropian", tha Tadiç. Duke folur për qëllimet e mandatit të tij të dytë presidencial, Tadiç theksoi se "do të zbatojë programin, të cilin e votuan qytetarët, e mbi të gjitha ta ndihmojë Serbinë që të bëhet një vend i fortë dhe i qëndrueshëm, anëtar i Bashkimit Evropian". Por Kosova do të shpallë pavarësinë brenda pak ditësh, sipas gjasave të dielën. Betimi i Tadiç në Kuvend, ishte një nga qëndrimet e para kaq "të ashpra" kundër pavarësisë së Kosovës. Lideri i njohur si me pikëpamje pro perëndimore, tha dje: "Unë nuk do të heq dorë kurrë nga lufta për Kosovën", ndërsa bëri betimin zyrtar para Kuvendit të Serbisë për mandatin e tij të ri pesëvjeçar. Të enjten, qeveria serbe miratoi një rezolutë, e cila e anulon pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm nga institucionet e saj të përkohshme. Përkundër deklaratës së Presidentit Tadiç, Koshtunica duke paralajmëruar se Serbia nuk do të pranojë të hyjë në Bashkimin Evropian, me atë "tregti të padenjë", tha se Serbia gjithmonë ka qenë në Evropë, kurse Kosova është emri i dytë për atë më të vlefshmen që serbët i kanë dhënë qytetërimit kristian. "Duke mbrojtur Kosovën, Serbia mbron diçka më shumë se territorin e saj", theksoi Koshtunica.