E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vulchanov: Reformën vetëm me PD

• Reforma mund të finalizohet dhe nga PD-PS pa partitë e tjera.Aristir LumeziKreu socialist Edi Rama dhe bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, kanë darkuar me tre përfaqësuesit e lartë të OSBE-ODIHR, ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bosch, Nikolai Vulchanov dhe Gilles Saphy, vëzhguesi zgjedhor i OSBE/ODIHR për Shqipërinë. Gjatë takimit, monitoruesit ndërkombëtarë kanë përshëndetur dialogun e vendosur tashmë mes PS-së dhe PD-së në lidhje me reformat. Ka qenë pikërisht ky bashkëpunim që ka inkurajuar ndërkombëtarët që gjetjen finale të realizimit të reformës zgjedhore ta shohin edhe në binomin e ri politik, PD-PS. Mësohet se Vulchanov ka shprehur interesin e tij që reforma zgjedhore të realizohet në komisionin e posaçëm parlamentar, por në vëmendje të tij ka qenë bërja medoemos e reformës, pa të cilën nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës. Sipas Vulchanov, nëse komisioni nuk arrin në një konsensus për reformën zgjedhore, duhet të jenë PD-ja dhe PS-ja, të cilat do duhet ta kalojnë në Parlament atë, ku dy partitë e mëdha përbëjnë dhe shumicën. Por, sipas Vulchanov, para se të shkohet në një zgjidhje të tillë, do të duhej që PD-ja dhe PS-ja të kishte edhe ndonjë nga aleatët rreth vetes, për të shmangur një vendimmarrje bipartizane. Takimet me përfaqësuesit e lartë të institucioneve monitoruese ndërkombëtare të partive parlamentare kanë përcaktuar tashmë sistemin proporcional rajonal si të aplikueshëm. Por tani mbetet që pas kthimit të të gjitha partive në komisionin parlamentar të Reformës, ato të përcaktojnë formën e rajonalit, nëse ai do të jetë në bazë rrethi, qarku apo edhe më gjerë. Pas takimit që kryetarët e partive të vogla patën me OSBE-ODIHR, duket se ato janë tërhequr nga qëndrimi i tyre i pakthyeshëm i proporcionalit të personalizuar. Por mësohet se ata janë tërhequr edhe nga listat e hapura, për të cilat ODIHR nuk ka qenë dakord. Ajo që vërehet edhe në deklaratat e kryetarëve të partive të vogla parlamentare, është se ata janë tërhequr nga proporcionali i personalizuar, që propozuan në komisionin e Reformës Zgjedhore. Vulchanov i ka sqaruar atyre se, sistemi gjerman që ata pretendojnë nuk mund të zbatohet, pasi nuk mund të bëhen modifikime në sistemet, të cilat janë provuar të pastra me të gjitha detajet e tyre. Por në deklaratat e tyre, përfaqësuesit e partive të vogla nuk kanë kundërshtuar edhe sistemin spanjoll, të cilin deri dje e përjashtonin nga diskutimi i reformës. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, duke dhënë hollësi nga takimi me përfaqësuesit e OSBE-ODIHR, tha se, mendimi i tyre është kundër listave të mbyllura. "Ndërkohë që ODIHR vazhdon të mbetet kundër listës së hapur, themelore është që modelet nuk duhet të deformohen më. Një palë pretendojnë se lista e hapur deformon gjermanin, kurse spanjolli i zbatuar në Shqipëri është një deformim i proporcionalit. Ndërkombëtarët duan një sistem të pastër dhe modeli gjerman është numri një", u shpreh Gjinushi. Pas kërkesave të vazhdueshme për nisjen nga puna të komisionit të Reformës, pritet që javën e ardhshme ky komision të ketë të gjithë vëmendjen e politikës shqiptare.DemokratëtPërfaqësuesit e lartë të OSBE-ODIHR, Vulchanov, Saphy dhe Bosch, pas ditës së parë të takimeve me partitë parlamentare, kanë darkuar me përfaqësues të maxhorancës. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Patozi dhe bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Rusmajli, me të cilët tre ndërkombëtarët kanë diskutuar rreth qëndrimeve për reformën zgjedhore.VizitaVizita e përfaqësuesve të OSBE-ODIHR-it në Tiranë përfundoi dje me pjesëmarrjen e tyre në një tryezë të rrumbullakët, organizuar nga Rrjeti i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë dhe Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve. Edhe pse kishte karakter informativ, ata sqaruan palët për standardet që duhet të plotësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›