Komunat veriore drejt statusit special
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), akuzoi drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, për nxitje të dhunës në Veri. Ministri Hoxhaj tha se Serbia edhe më tutje është duke përkrahur strukturat kriminale në Veri, të cilat po i pajis me axhendë politike. “Presidenti i Serbisë, Tadiç, ministrat e qeverisë serbe, kanë nxitur dhunë në Veri. Zhvillimet e fundit dramatike në ditët e shkuara janë organizuar dhe financuar nga qeveria në Serbi. I dërguari i Serbisë në dialog vjen ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90. Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën”, tha Hoxhaj, duke iu përgjigjur redaktorit të kësaj gazete, Christoph Plate. Ai më tej shtoi se Republika dhe populli i Kosovës dëshirojnë siguri, stabilitet dhe paqe. “Ne do të respektojmë Kushtetutën dhe marrëveshjen mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Ne do t'i respektojmë të drejtat e serbëve, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që Serbia të përzihet në punët tona”, paralajmëroi Hoxhaj. Duke folur për Veriun, ministri Hoxhaj tha se në Veri janë instaluar struktura kriminale, që edhe më tutje mbështeten fuqishëm nga Beogradi. “Atje, mbi të gjitha, ka krim dhe kriminelë të organizuar, të cilët kontrollojnë kontrabandën dhe mjete të tjera të krimit. Ata janë shumë të interesuar të jetojnë në një hapësirë të lirë, ku nuk funksionon ligji, derisa Beogradi po përkujdeset që t'i marrë në mbrojtje”, shtoi Hoxhaj. Sakaq, e përditshmja “Koha Ditore” shkruante dje se tendencat e Serbisë për t’i futur brenda kufijve të saj tri komunat veriore të Kosovës mund të përfundojnë me nxjerrjen e një autonomie substanciale për serbët që jetojnë në Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan. Një paralajmërim të tillë e kanë bërë burime të gazetës brenda institucioneve të larta shtetërore, duke mos e përjashtuar mundësinë që “autonomia substanciale e veriut” të dalë edhe publikisht si propozim i një pjese të faktorit ndërkombëtar gjatë ditëve në vijim. “Miqtë ndërkombëtarë kanë filluar ta shohin si mision të pamundur integrimin e veriut pas 12 vjetësh shkëputjeje nga pjesa tjetër e shtetit. Dhe, me qëllim të shmangies së konflikteve të armatosura, si rrugëzgjidhje më të pranueshme ata po e shohin dhënien e një statusi special për atë pjesë”, ka thënë burimi i gazetës. Ai ka sqaruar se “ndërkombëtarët” e arsyetojnë këtë formulë, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë Kosova do të arrijë t’i ruajë kufijtë e saj aktualë. “Ideja e ndërkombëtarëve është që komunat në Veri të njihen si njësi të veçanta dhe t’u jepen kompetenca në vetëqeverisje dhe financim”, ka shpjeguar zyrtari i lartë institucional. Mirëpo, sipas tij, autoritetet vendëse deri tash nuk kanë dhënë shenja se do ta pranojnë një zgjidhje të tillë. “Pakoja e Ahtisaarit mbetet si oferta më e madhe që i është bërë komunitetit serb që jeton në Kosovë”, ka thënë burimi i gazetës.