E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunat, vështirësi në vjeljen e taksës së tokës

Taksa që fermerët duhet të paguajnë për tokën që kanë në pronësi është një problem shqetësues për të gjitha komunat në Qarkun e Fierit. Nga të dhënat që drejtues të komunave kanë depozituar pranë institucionit të prefektit të Fierit, mësohet se mbi 20% e fermerëve në shkallë qarku nuk e paguajnë taksën e tokës, pasi janë në emigracion. Po të njëjtat statistika nga Prefektura e Fierit shprehin se ka me qindra fermerë që e shfrytëzojnë tokën që kanë përfituar nga shpërndarja e saj me anën e Ligjit 7501, por që nuk paguajnë asnjë detyrim për të. Krerë të mjaft komunave në rrethet e Fierit, Lushnjës e Mallakastrës janë shprehur se taksën e tokës e mbledhin me shumë vështirësi.

Një prej kryetarëve të komunave të qarkut është edhe Harrila Mile, i cili drejton Komunën Qendër në rrethin e Fierit. Mile pohon të njëjtin fakt në vështirësitë për vjeljen e taksës së tokës.

Ne nuk arrijmë dot që t‘i mbledhim taksat. Nuk ua marrim dot detyrimin për tokën si banorëve të fshatrave të komunës që banojnë aktualisht këtu, por edhe atyre që i kanë lënë tokat pa punuar dhe i janë drejtuar emigracionit. Në emigracion është një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Komunës Qendër. Dihet që nga Komuna Qendër, sidomos nga fshati Çlirim, Drizë, Zhupan etj., ka mjaft qytetarë që janë jashtë shtetit. Vetëm në komunën time janë mbi 20% e banorëve që janë në emigracion e që kanë lënë tokat djerrë pa i punuar, njëkohësisht edhe pa paguar taksat, është shprehur kryetari i Komunës Qendër në rrethin e Fierit, Harrilla Mile. Edhe krerë të tjerë komunash kanë depozituar pranë Prefekturës së Fierit se mbi 20% e tokës bujqësore, si shkak i emigrantëve, mbetet e papunuar.

Kalimi në pronësi të komunave i të gjitha atyre sipërfaqeve që nuk shfrytëzohen konsiderohet prej shumë drejtues komunash si një mundësi për zhvillimin e bujqësisë të fshatrave, ku toka nuk punohet, por edhe të të gjithë sektorit të bujqësisë në shkallë qarku dhe vendi. Për të rritur treguesit e vjeljes së taksës së tokës, shumë komuna të Fierit dhe të Lushnjës kanë aplikuar edhe mosdhënien e asnjë shërbimi ndaj të gjithë atyre fermerëve debitorë që nuk e kanë paguar taksën e tokës. Mësohet se fermerëve debitorë u është kushtëzuar edhe marrja e një certifikate në rast mospagese.

Kujtojmë se urdhri i fundit i Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, parashikon ndëshkimin me gjoba të rënda deri dhe heqje të së drejtës së pronësisë për të gjithë ata fermerë që nuk e punojnë tokën. Ky urdhër është kundërshtuar nga shumica e fermerëve të Qarkut të Fierit, ndërsa është mirëpritur vetëm prej drejtuesve të komunave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›