E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken sërish rrugët, dy të vdekur nga aksidentet

Shënohen viktimat e radhës nga aksidentet rrugore. Fundjava ka shënuar vdekjen e 2 personave dhe plagosjen e katër të tjerëve në Skrapar dhe Korçë. Mes viktimave, një shtetas grek, si dhe një i ri që kthehej nga pelegrinazhi në malin e Tomorit. Kështu, në Skrapar, një makinë në të cilën udhëtonin pesë persona ka përfunduar në humnerë mëngjesin e djeshëm, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe u plagosën katër udhëtarët e tjerë, të afërm me njëri-tjetrin. Mësohet se të aksidentuarit ktheheshin nga pelegrinazhi në malin e Tomorit, një festë tradicionale e besimit bektashi. Ngjarja e rëndë rrugore ka ndodhur rreth orës 04:00 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Poliçan-Tomorr, në vendin e quajtur "Rasa e Novajt". Stiliano Kosova, 35 vjeç, nga fshati Velabisht i Beratit, ka qenë duke drejtuar makinën e tij tip "Benz" me targa të Beratit, ku udhëtonin katër persona të tjerë, kur mjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar rreth 100 metra në humnerë. Kanë qenë kalimtarët e rastit që pasi kanë parë mjetin të dalë nga rruga, kanë njoftuar organin blu të qytetit të Çorovodës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë mjeti i ndihmës së parë nga spitali i Çorovodës dhe uniformat blu të komisariatit të këtij qyteti. Punonjësit e policisë me ndihmën e pelegrinëve të rastit kanë mundur të nxjerrin nga mjeti personat që ndodheshin në të, pasi makina kish përfunduar 100 metra në humnerë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, drejtuesi i mjetit është gjetur pa jetë, ndërkohë që katër personat e tjerë kishin marrë plagë të shumta, por fatmirësisht kanë shpëtuar nga vdekja. Menjëherë të plagosurit janë transportuar fillimisht drejt spitalit të Skraparit, ndërkohë që trupi pa jetë i Stiliano Kosovës është transportuar për në morgun e Beratit. Burime pranë spitalit të Çorovodës bëjnë të ditur se të plagosurit kanë mbërritur rreth orës 05:30 të mëngjesit të djeshëm: Shyqyri Çolani 30 vjeç, Krenar Çolani 29 vjeç, Fredi Çolani 37 vjeç dhe Daniel Çolani 9 vjeç. Të katër personat, të afërm mes tyre, sipas burimeve pranë spitalit të Çorovodës janë paraqitur me fraktura dhe plagë të ndryshme në të gjithë trupin. Pasi kanë marrë ndihmën e parë shëndetësore, janë dërguar për në spitalin e Beratit, ku ende janë nën kujdesin e bluzave të bardha, por jashtë çdo rreziku për jetën. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e policisë, që kanë nisur hetimet për të mësuar shkaqet e këtij aksidenti. Drejtuesi i mjetit, së bashku me të afërmit e tij, pasi kish kaluar natën në malin e Tomorit, kishte marrë rrugën e kthimit mëngjesin e djeshëm. Nga hetimet e para mësohet se si pasojë e humbjes së kontrollit nga pagjumësia ose tërheqja e vëmendjes, drejtuesi nuk ka mundur ta kontrollojë dot mjetin në një kthesë dhe ai ka përfunduar në një humnerë. Ndërkohë që aksidentet rrugore nuk kanë kursyer dhe një shtetas grek, i cili përshkonte me motor rrugën nga Tirana në Kapshticë. Mësohet se viktima, 37 vjeç, ka qenë pjesë e një grupi motoristësh grekë, që kishin ndërmarrë një udhëtim nëpër Shqipëri. Ngjarja rrugore ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Pogradec-Korçë. Policia lokale ka dalë në përfundimin se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe me të cilin udhëtonte 37-vjeçari. Motoristi grek, identiteti i plotë i të cilit nuk është bërë i ditur, ka humbur jetën në afërsi të vendit të quajtur "Kryqëzimi i Petrushës". Mësohet se grupit të motoristëve grekë i ka dalë përpara një qen, që i ka detyruar një pjesë prej tyre të devijonin nga rruga. Si pasojë e këtij devijimi të befasishëm dhe shpejtësisë së lartë, 37-vjeçari grek ka humbur jetën në spitalin rajonal në Korçës.

Durrës

Aksident në plazh, plagosen tre të rinj

Aksidentohen tre të rinj në zonën e plazhit në Durrës. Ngjarja rrugore ndodhi mëngjesin e djeshëm, pranë mbikalimit të Plepave në plazhin e Durrësit. Tre të rinj, që sipas burimeve të policisë lokale janë 20-vjeçarë, u përplasën nga një automjet tip "Ford", teksa po përpiqeshin të kalonin rrugën nga njëri krah në tjetrin. Nga të njëjtat burime mësohet se automjeti me targa të Durrësit drejtohej nga shtetasi Muharrem Abdyli, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive konkrete. Njëri prej të aksidentuarve mësohet se është në gjendje të rëndë dhe nuk ka dalë nga rreziku për jetën, kurse dy shokët e tij kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta. Të aksidentuarit janë nga Tirana dhe kishin ardhur për të kaluar një ditë fundjave në plazh kur janë përplasur nga automjeti që drejtohej nga Abdyli. Në fundjavë trafiku në zonën e plazhit paraqitet tejet i rënduar dhe i rrezikshëm në qarkullim për këmbësorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›