E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presion në rritje mbi lekun

Monedha e përbashkët europiane, Euro, kërceu në kuotën më të lartë në shtatë javë ditën e premte kundrejt lekut, si pasojë e "presionit në rritje", që sipas ekspertëve po krijohet mbi monedhën kombëtare në prag të mbylljes së sezonit turistik. Euro u rrit deri në 131.62 lekë sipas kursit fiks të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në një javë të karakterizuar nga lëvizje të vrullshme në treg. Gjatë javës së shkuar, leku humbi 1.07 për qind të vlerës kundrejt euros, ndërsa luhatjet kundrejt dollarit u përcaktuan nga ndryshimet në tregun ndërkombëtar.

Bankat kanë njoftuar gjatë të gjithë muajit gusht se në sportelet e tyre nuk është shënuar ndonjë fluks në rritje në qarkullimin e euros, gjë që pati ndodhur vazhdimisht gjatë viteve të shkuara. Leku shqiptar ka njohur gjithmonë forcim gjatë verës, si pasojë e rritjes së hyrjeve valutore në treg nga emigrantët dhe turistët. Leku shënoi kulmin këtë sezon në javën e parë të korrikut. Por pas kësaj, euro vijoi të luhatej rreth kuotës 130 lekë, deri në javën e fundit, kur u vu re edhe një dobësim gradual. Pritet që kërkesa për valutë në treg të rritet, pasi me afrimin e vjeshtës shtohen edhe importet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›