E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Komunikimet elektronike”, projektligji një hap larg miratimit



Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dje nen për nen projektligjin “Për komunikimet elektronike”. Sipas deputetëve të këtij Komisioni, projektligji për komunikimet elektronike do të sjellë disa risi të reja në shërbim të klientëve, duke përmirësuar dhe përafruar ndjeshëm tarifat e shërbimit celular, sipas standardeve të BE-së. Ky projektligj, bazohet tërësisht në paketën rregullatore të Bashkimit Europian, duke shënuar kështu përmbushjen e një detyrimi, që Shqipërisë i lind nga Marrëveshja e MSA-së. Në të njëjtën kohë, ky draft siguron të drejtën e çdo sipërmarrësi për të ofruar rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike, duke përmbushur vetëm kërkesat e autorizimit të përgjithshëm, (ka zëvendësuar licencën), si edhe të autorizimit individual të nevojshëm, vetëm në rastin e përdorimit të burimeve të fundme, pra frekuencave. Në ndryshim nga ligji aktual, projektligji parashikon një analizë të tregjeve dhe përcaktimin e sipërmarrësve me Fuqi të Ndjeshme në Treg, (AMC, Vodafone, Eagle Mobile, Albtelekom), si edhe vendosjen e detyrimeve përkatëse ndaj tyre, sipas direktivave dhe rekomandimet e tjera përkatëse të BE-së. Projektligji do të diskutohet dhe më pas do të kalojë për miratim edhe në seancë plenare të Kuvendit, ditët e ardhshme.

BSH-ja hodhi në shitje 3.4 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, nxori dje për shitje në ankandin e radhës, bono thesari me vlerë 3.4 miliardë lekë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, këto bono thesari do të jenë me maturim 3-mujor, të cilat do të përdoren për bankat e nivelit të dytë. Ato do të emetohen më datë 15.08.2008. Në ankandin e fundit të BSH-së u shitën bono thesari me maturim 3, 6 dhe 12-mujor, me një vlerë totale prej 13.9 miliardë lekë. Bonot e thesarit janë letra me vlerë, që qeveria ua merr hua investitorëve publikë dhe privatë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Aktualisht, bonot emetohen në monedhë kombëtare Lekë. Ato kanë afate maturimi tre, gjashtë, dymbëdhjetë mujore dhe së fundmi edhe 5-vjeçare dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH-ja. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë. Bonot e thesarit, aktualisht janë i vetmi mjet i tregtueshëm në të cilin bankat mund të investojnë.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›