E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMF-ja: “Tregu i siguracioneve monopol, mungon konkurrenca”

Niveli i dëmeve të paguara ulet nga kompanitë në raport me standardet. Çmimet e fiksuara për sigurimin e mjeteve motorike janë monopol

Ervin Koçi

Autoriteti Mbikëqyrës Financiar jo-Bankar ka vënë alarmin në lidhje me tregun e siguracioneve dhe skemën e dobët të pensioneve në vend. Dje, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, kryetarja e AMF-së, Elisabeta Gjoni, ka raportuar në lidhje me rrezikun që mund t’i vijë të gjithë skemës së pensioneve dhe siguracioneve në vend. Duke iu referuar të dhënave të raportit të AMF-së për vitin 2007, ajo paraqiti nevojën imediate për zgjerimin e skemave të ndryshme në lidhje me sistemin e siguracioneve. “Edhe pse i zgjeruar tregu i sigurimeve ka probleme, pasi niveli i dëmeve të paguara ulet nga kompanitë në raport me standardet”, - u shpreh kryetarja e Autoritetit, Gjoni. Sipas saj, “çmimet e fiksuara nga kompanitë private të sigurimeve, sidomos për sigurimin e mjeteve motorike, pengojnë konkurrencën në treg dhe për pasojë mbajnë çmime monopol”. Duke folur përpara deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, Gjoni theksoi se vlerësimi i dëmeve të shkaktuara është nën nivelin e kostos reale të tyre, duke bërë kështu që individi apo firma të humbasin.

Raporti

Në Raportin vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, raporti dëme-prime i kompanive të sigurimit gjatë vitit 2007 rezultoi në nivel negativ. Sipas kryetares Gjoni, “nga mbikëqyrja e treguesve financiarë të kompanive të sigurimit rezulton një përkeqësim i raportit dëme-prime, krahasuar jo vetëm me normat europiane, por edhe me nivelin e vitit 2006”. Në vitin 2007 raporti dëme-prime ishte në nivelin 21.1 për qind për tregun, kur standardi minimal ndërkombëtar është 50 për qind. Gjoni u shpreh se ky nivel shënon ulje prej 40 përqindësh edhe nga niveli i vitit 2006. Ajo tha se po hartohet një projektligj i ri për sigurimet e detyrueshme, që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe liberalizimin gradual të çmimeve të mbështetur nga forcimi i kontrollit financiar të operatorëve. Gjoni u shpreh se në bazë të të dhënave edhe raporti i shpenzimeve vazhdon të mbetet në nivele të larta negative prej 57.31 për qind, krahasuar me 56.34 për qind në vitin 2006. "Këta dy tregues duhen parë me vëmendje të veçantë në mënyrë që të ruhet efikasiteti i kompanive, si dhe të shmangen problemet në treg", tha ajo. Sipas Gjonit, “në fund të vitit 2008 shoqërive të shërbimeve financiare do t'u duhet të raportojnë pasqyrat financiare sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar”.

Skema e re

AMF-ja ka propozuar një skemë të re përsa i përket mirëmenaxhimit të tregut të sigurimeve në vend, dhe për të prishur skemën monopol. Një gjë e tillë është kërkuar edhe prej deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, që kërkuan rritjen e rolit të AMF-së për shtrirjen e veprimtarisë siguruese në sektorët e ndërtimit, karburanteve, minierave dhe hotelerisë. Në përgjigje të kësaj kërkese, Gjoni tha se është bashkëpunuar me institucionet përkatëse për nxitjen e produkteve të sigurimeve që mbrojnë në masë të konsiderueshme interesat e publikut dhe të të punësuarve nga rreziqet që mbart ushtrimi i aktiviteteve në sektorët e sipërpërmendur. ”Promovimi brenda vitit 2008 i këtyre produkteve do të sjellë njëkohësisht edhe përmirësimin e strukturës së tregut të sigurimeve", - tha kryetarja e AMF-së, Elizabeta Gjoni.

BOX///////////////////////
Pensionet, AMF-ja gati shtesat për projektligjin

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po punon për hartimin e një projektligji të ri për pensionet. Kryetarja e AMF-së, Elizabeta Gjoni, u shpreh gjatë diskutimit të raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se po punohet për hartimin e një projektligji të ri të pensioneve, si dhe janë miratuar rregulla për raportimin e kompanive ekzistuese në treg, pasi ligji aktual është hartuar që në vitin 1995 dhe paraqet mangësi. Sipas saj, “rregullimi i aktivitetit të pensioneve është i një rëndësie të veçantë, nisur nga kohëzgjatja e përgjegjësive të marra dhe niveli i lartë i ekspertizës që nevojitet për të menaxhuar këtë aktivitet”. Ajo shtoi më tej se “ligji i ri do të krijojë hapësirat për zgjerimin e tregut në përmbushje edhe të angazhimeve të qeverisë shqiptare ndaj FMN-së, për ngritjen e një sektori cilësor e aktiv të pensioneve private suplementare”.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›