E Diel, 1 Nëntor 2026

“Komunistët Nano e Berisha po bllokojnë demokratizimin e vendit”Nga DWIntervistë e ish-ambasadorit e Misionit të BE në Tiranë, Lutz Saltzman, për radion Deutsche Welle 18.09.2004 Për herë të parë kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian n

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Komunistët Nano e Berisha po bllokojnë demokratizimin e vendit”Nga DW

Intervistë e ish-ambasadorit e Misionit të BE në Tiranë, Lutz Saltzman, për radion Deutsche Welle

18.09.2004

Për herë të parë kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Lutz Saltzman, deklaron hapur se Nano dhe Berisha bllokojnë demokratizimin e vendit dhe se të gjitha partitë politike janë të ndikuara nga korrupsioni. Me tone shumë larg nënkuptimeve diplomatike, Saltzman shton se Shqipëria ka rrëshqitur në dorë të ekonomisë kriminale dhe se vendit i duhen të paktën 15 vjet, nëse gjërat ecin mirë që të bëhet anëtar i BE. Nano ka thënë se brenda 2015 do të jemi pjesë e Evropës së bashkuar. Kreu i delegacionit të KE në Tiranë i ka bërë apel ndërkaq shoqërisë civile që në mënyrë paqësore të kërkojë atë që i takon

A shihni përparime në procesin e demokratizimit të Shqipërisë?

Fatkeqësisht jo. Vendet e BE, pra të gjitha 25 vendet anëtare, dhanë përpara pak ditësh një deklaratë, në të cilën shprehin pakënaqësinë e tyre mbi procesin e reformave në Shqipëri, sidomos atë të Kodit Zgjedhor, por edhe në fusha të tjera si kriminaliteti, korrupsioni, liria e shtypit dhe zbatimi i ligjit. Kjo deklaratë mbështetet edhe nga SHBA dhe OSBE. Ne jemi të gjithë të pakënaqur që procesi i demokratizimit nuk mbështetet siç duhet nga politika shqiptare.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, e ka mbështetur plotësisht deklaratën e Bashkimit Evropian dhe është shprehur se qeveria shqiptare dhe kryeministri, Fatos Nano, janë përgjegjës për progresin e pamjaftueshëm të reformave në Shqipëri. Cili është mendimi juaj?

Deklarata jonë i drejtohet të gjithë elitës politike, pra jo vetëm qeverisë shqiptare dhe një partie të vetme, por të gjitha partive politike në vend. Kjo deklaratë është një paralajmërim për të gjitha partitë që marrin pjesë në parlament. Të gjitha partitë politike ndikohen nga faktorë të ndryshëm dhe janë përgjegjëse për ngadalësimin e procesit të demokratizimit. Njëri nga këta faktorë është korrupsioni. Ky nuk është fenomen i izoluar i disa partive të vetme, por fatkeqësisht një fenomen, në të cilin përfshihet e gjithë elita politike. Pra edhe kryetari i opozitës, pra Berisha, duhet ta lexojë mirë këtë deklaratë dhe disa gjëra prej saj t’i ngulisë në mendje.

Shqipëria ka më shumë se 10 vjet që qeveriset me radhë, ose nga Sali Berisha, ose nga Fatos Nano. I gjithë ky fenomen është kthyer në një marrëdhënie pothuajse personale mes këtyre dy politikanëve. Sipas mendimit tuaj, si ndikon kjo marrëdhënie në zhvillimin demokratik të Shqipërisë?

Fatkeqësisht duhet të pohoj se kjo marrëdhënie nuk e ndihmon vendin. Këta dy politikanë vijnë nga periudha e komunizmit dhe si sjellja, ashtu edhe mentaliteti i tyre ndikohen ende nga kjo frymë. Mentaliteti i tyre i vjetër del në pah, kur shohim se, ndonëse ndërkohë punojnë për një sistem demokratik, ata përpiqen që ta koncentrojnë të gjithë fuqinë te partitë e tyre duke e bllokuar kështu procesin e demokratizimit.

Nëse zgjedhjet e vitit 2005 do të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare, si janë shanset për Shqipërinë që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit?

Nëse zgjedhjet do të menaxhohen në mënyrë pozitive dhe do t’u përmbahen standardeve ndërkombëtare, atëherë Shqipëria ka një shans shumë të madh që të fillojë së shpejti bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Nëse jo, atëherë i gjithë procesi do të zgjasë edhe më shumë.

Cila është sfida më e madhe e Misionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri?

Ne shpresojmë që nëpërmjet Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim të mundim të përmirësojmë kushtet e përgjithshme në Shqipëri. Por këtu nuk bëhet fjalë thjesht për krijimin e ligjeve të reja, por për realizimin dhe përmirësimin e tyre. Vetëm kështu do të mund të krijohet baza e luftës kundër kriminalitetit të organizuar. Shqipëria ka rrëshqitur nga epoka e komunizmit në duart e disa forcave të errëta ekonomike, pra në duart e një ekonomie informale, për të mos thënë të një ekonomie kriminale. Shqipëria ndodhet në duart e disa faktorëve ekonomikë dhe politika shqiptare është fatkeqësisht e varur nga këta faktorë. Pikërisht ndarja e politikës nga këta faktorë ekonomikë është detyra jonë. Pra ndarja e politikës nga ekonomia, respekti kundrejt institucioneve demokratike, këto janë armët më të mira për të luftuar kriminalitetin e organizuar, korrupsionin dhe trafikun njerëzor. Këto janë problemet qendrore në Shqipëri.

Pra, me sa duket, Shqipëria ka një rrugë të gjatë përpara, derisa të fillojë bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por, sidoqoftë, të gjithë shqiptarët shpresojnë që së shpejti të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Sa mendoni ju, janë shanset e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE?

Për t’u bërë anëtar i BE një shtet duhet të kalojë disa faza zhvillimi. Këtë e pamë edhe te dhjetë vendet e reja që sapo u anëtarësuan në BE. Pra faza e parë është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Me Shqipërinë ende nuk e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, dhe kjo varet edhe nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Pra do të presim rezultatet e zgjedhjeve, përpara se të vendosim. Nëse arrijmë me të vërtetë ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, vjen faza e dytë, ajo e implementimit të kësaj marrëveshjeje, fazë kjo që zgjat disa vite. Pastaj do të përpilojmë një raport për të verifikuar nëse Shqipëria i ka plotësuar kriteret për t’u bërë kandidate për anëtarësim në BE. Fazë kjo në të cilën ndodhet momentalisht Turqia. Pra i gjithë ky proces, që sigurisht varet edhe nga bashkëpunimi pozitiv i vetë Shqipërisë me BE, do të zgjasë të paktën 15 vjet. Madje edhe kjo varet nga fakti nëse nuk ndodhin më faza shqetësuese në vend. Por ne nuk dëshirojmë t’ia heqim shpresat Shqipërisë. Ne kemi thënë me kohë se dyert e BE janë të hapura për Shqipërinë dhe se duam ta ndihmojmë këtë vend. Për këtë arsye dëshirojmë të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Shqipëria do të ketë shumë përfitime dhe privilegje falë kësaj marrëveshjeje. Për shembull, në sektorin e tregtisë apo duke marrë pjesë në programet e BE, Shqipëria mund të arrijë një status të ngjashëm me atë të vendeve anëtare të BE. I vetmi ndryshim do të jetë se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në tryezën ku merren vendimet në Bruksel. Pra deri te kandidatura dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian Shqipërisë i duhen të paktën 15 vjet.

Keni ndonjë këshillë të fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Unë dëshiroj që në Shqipëri shoqëria civile të luajë një rol më të madh. Do të doja që njerëzit të kenë më shumë guxim për të thënë atë që mendojnë edhe kundrejt politikanëve. Pra që të jenë në gjendje të kritikojnë dhe të kërkojnë atë që u takon, por në mënyrë paqësore. Kjo do t’u dëshmonte shteteve anëtare të Bashkimit Evropian se Shqipëria është pjesë e Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›