Opozita çon në Kushtetuese marrëveshjen me Greqinë për kufijtëNga Tema Drejtues të partive të majta dhe të djathta, nën drejtimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama nënshkruan dje ankimimin që do i bëhet në Gjykatën Kushtetuese mar
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita çon në Kushtetuese marrëveshjen me Greqinë për kufijtëNga TemaDrejtues të partive të majta dhe të djathta, nën drejtimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama nënshkruan dje ankimimin që do i bëhet në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjes për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në takim ishin të pranishëm përveç Ramnës edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kryetari i G99, Erion Veliaj, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, drejtuesi i demokristianëve shqiptarë, Nard Ndoka dhe ish-drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ndre Legisi.
“U ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë, duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve”, tha pas takimit kryetari i PS, Edi Rama.
Pak më herët Rama komentoi dhe deklarata e Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, se ai po mban qëndrime ekstremiste. “Nga ana tjetër, unë i refuzoj me neveri ato akuza që ju përmendni lidhur me një pozicion të ashtuquajtur ekstremist timin dhe Partisë Socialiste në raport me dokumentin skandaloz të kësaj marrëveshjeje, aq më tepër pastaj kur akuza të tilla vijnë nga vartësi i Sali Berishës në Ministrinë e Jashtme, i cili tanimë është publikisht i njohur nga të gjithë, si njeriu që është i aftë të thotë gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje, dhe të bëj gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje, thjesht dhe vetëm për një karrige druri,” tha Rama.
Ndërsa kryetari i PLD, Spartak Ngjela tha se Kushtetuesja duhet të marrë në shqyrtim sa më shpejt këtë ankimim dhe të bëjë të ditur se deputetët do të ndëshkohen në rast se do të miratojnë marrëveshjen, qoftë dhe unanimisht.
“Dhe kjo nuk ka pse të mos provohet, sepse në rast se nuk do të ishte territor shqiptar 250 km2, nuk do kishte nevojë për marrëveshje. Atëherë Shqipëria cedon nga territori i saj dhe ky është krim i rëndë. Gjej rastin t’i them Presidentit të Republikës të jetë i vëmendshëm dhe ta shoh me përparësi këtë çështje. Po degradon situata në sens negativ, ku janë manipuluar zgjedhjet dhe po bëhen marrëveshje të dyshimta.
Kjo është arsyeja që sot është imperativë çështja e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, sepse me sapo shohim, kemi të bëjmë me një grup njerëzish që mund të shesin gjithçka. Gjykata Kushtetuese nuk e merr dot në shqyrtim pasi ratifikohet, sipas Kushtetutës, e merr vetëm përpara,” tha Ngjela.
Kryetari i G99, tha dje se nuk mund të jesh shqiptar part-time siç është Meta dhe Berisha. Ai ftoi të gjithë qytetarët që të protestojnë përpara Ministrisë së Jashtme dhe parlamentit për të protestuar.
“E çojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse është gjykata e vendit tonë, ndaj edhe kemi besim të plotë që Gjykata Kushtetuese nuk do të vazhdojë të politizohet dhe do të pranojë që po flasim për territor shqiptar, për një gjë që precedentët kanë treguar që është territor shqiptar. Gjykata Hagës ka treguar që tashmë është territor shqiptar, kështu që besojmë që do të kemi një vendim shqiptar nga një gjykatë shqiptare. Kjo është e vetmja shpresë për ta avancuar këtë në anën ligjore,” tha Veliaj.
Ndërkohë, parlamenti në mënyrë të tërthortë, pa deklaratë të drejtpërdrejtë, duket se ka shtyre ratifikimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pakti ishte parashikuar që të ratifikohej në seancën parlamentare të datës 19 Tetor, por kjo nuk ekziston në axhendën e Parlamentit për tri javët e ardhshme.
Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim ne kuvend me 19 tetor.