E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po zhdukim mbivendosjet e 120 mijë pronave”

 

Etleva Delia
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës Arben Qirjako thotë se institucioni i drejtuar prej tij në Tiranë dhe në rrethe, është duke zbatuar një sistem të ri, i cili do të eliminojë mbivendosjen e pronave dhe fenomenin e disa pronarëve për një objekt.
Në intervistën për gazetën “Panorama”, kryeregjistruesi Qirjako pohon se aktualisht Hipoteka është duke regjistruar rreth 120 mijë prona në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.
A keni hasur vështirësi me procesin e ndryshimit të sistemit hipotekor, nga ai i vjetri ku ka munguar kontrolli mbi të dhënat, tek sistemi i ri modern, i kompjuterizuar?
Qëllimi kryesor i modernizimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiston në radhë të parë në regjistrimin e 500 mijë pasurive. Për fat të keq gjatë viteve 2001 e deri në vitin 2006, nuk u bë asnjë veprim në lidhje me regjistrimin e pasurive të paluajtshme, sidomos për kalimin në sistemin e ri të regjistrimit të këtyre pasurive. Kjo gjë do garantonte më shumë sigurinë në zyrat e regjistrimit dhe po ashtu shërbimi ndaj qytetarit do ishte më i mirë. Nëpërmjet këtij projekti ne kemi ndërmarrë një nismë mjaft të rëndësishme dhe aktualisht jemi duke bërë regjistrimin e 120 mijë pasurive të paluajtshme në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Sarandë, ndërkohë jemi në prokurim edhe të 150 mijë pasurive të tjera, për të cilat brenda përfundon prokurimi dhe fillon masivisht puna. Ne paraprakisht kemi hartuar një plan dhe sipas këtij plani deri në vitin 2012, ne të kemi përfunduar regjistrimin fillestar të 500 mijë pasurive të paluajtshme. Është për të ardhur keq të mendosh se sot në Tiranë, ose të paktën deri para një viti e gjysmë, akoma mbi 60 për qind e territorit të kryeqytetit, por edhe të qytetit të Durrësit, nuk kishte kaluar në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kjo ishte pika e parë e projektit tonë. Pika e dytë ka të bëje me dixhitalizimin e sistemit të regjistrimit. Aktualisht, ne po përfundojnë skanimin e të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor në zyrat e Tiranës. Ky proces ka përfunduar në Durrës dhe vazhdon të realizohet në 10 qytetet kryesore të vendit, ku ne po skanojmë këtë dokumentacion. Kjo bëhet që të kemi një arkiv elektronik në zyrat tona të regjistrimit të pasurive. Paralelisht me këtë jemi në fazën e dytë të zhvillimit të sistemit të kompjuterizuar. Është ideuar shërbimi i kompjuterizuar ku edhe shërbimet pretendohet se në këto zyra do të jenë online pas disa viteve. Ne pretendojmë që pas 2-3 viteve të ketë disa zyra t’i kemi të pajisura me sistem elektronik të aplikimit dhe të shërbimit. Qëllimi i modernizimit ka të bëjë në radhë të parë me shpejtësinë e veprimeve në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Po ashtu një komponent shumë i rëndësishëm i këtij modernizimi ka të bëjë me transparencën e veprimeve në zyrat e regjistrimit. Këto të dyja duhet të ecin paralelisht që në një të ardhme shumë të afërt, që në shpresojmë që brenda këtij mandati të ketë një hop shumë cilësor në lidhje me shërbimin që bëhet, duke e konsideruar zyrën e regjistrimit si zyrë shërbimi në lidhje me këtë gjë. Po bashkëpunojmë ngushtë në lidhje me këtë proces edhe me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Suedi. Nëpërmjet një marrëveshje binjakëzimi që është firmosur vjet midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Lan Matritit, që është zyra e regjistrimit në Suedi dhe ata po na ndjekin me shumë kujdes dhe po asistojnë vetë në këtë zhvillim. Kuptohet kjo është një eksperiencë e re për ne, do me thënë e pa prekur dhe ne sidomos tani kemi tepër nevojë për ndihmën e vendeve, të cilat sapo e kanë kaluar këtë proces.
Qytetarët shpeshherë ankohen për vonesa dhe burokraci në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Çfarë do bëhet në këtë drejtim?
Një pikë shumë e rëndësishme e veprimtarisë tonë dhe duke e theksuar ashtu siç e thashë që zyra e regjistrimit të kthehet në një zyrë shërbimi, ka të bëje me shërbimin e qytetarëve. Jemi munduar nga një analizë që kemi bërë, që të paktën më përpara në zyrat e regjistrimit ka pasur radha të mëdha për të bërë aplikimin. Sot nuk ndodh kjo në zyrat kryesore të vendit, për arsye se ne kemi vënë një sistem kompjuterik të aplikimit, po ashtu edhe përgjigjet ne i kthejmë në kohë. Në qoftë se më përpara, në vitin 2006, tek zyra vendore e Tiranë mund të shikojë 300 apo 400 veta në ditë që prisnin nëpër sportele, sot nuk e sheh këtë gjë. Qytetarët aplikojnë në bazë të një bilete elektronike dhe brenda një afati kohor marrin përgjigjet për aplikimet e tyre. Kuptohet se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka një aplikim, por mund të ketë 30 lloje aplikimesh të ndryshme.
Çfarë veprimesh po bëni në drejtim të regjistrimit të ndërtesave të reja?
Ky problem mund të themi që është drejt zgjidhjes, duke u nisur edhe nga bashkëpunimi ynë me Drejtorinë e Tatimeve. Edhe koha që i është vënë në dispozicion ndërtuesve për regjistrimin e një ndërtese shumëkatëshe është shkurtuar, duke u krijuar mjaft lehtësira në regjistrim. Në varësi të kohës, që koha maksimale ka të bëje me regjistrimin fillestar të pasurive dhe të objekteve shumëkatëshe, duhet të jetë në bazë të një urdhrit tim 30 ditë për regjistrimin e një pallati. Kurse për biznesin ne kemi hapur sportele të veçanta, sidomos për biznesin e bankave dhe të ndërtimit, që duke pasur parasysh edhe prioritete e qeverisë shqiptarë që t’i plotësohen kushtet biznesit, ne jemi munduar që këto kushte t’ua plotësojmë edhe në zyrat e regjistrimit.
Një problem shqetësues është mbivendosja e pronave, ka dy ose më shumë pronarë për një truall. Çfarë zgjidhje do ti jepet këtij problemi? 
Ne kemi konstatuar gabime të mëdha gjatë regjistrimeve fillestare të bëra gjatë viteve të kaluara. Për këtë arsye ne kemi bërë një projekt pilot në lidhje me korrigjimin e këtyre gabimeve, që ndoshta është edhe mundi më i madh i zyrës së regjistrimit të pasurive dhe shumë shpejt për zonat që ne na rezultojnë se ka problematika, do të bëjmë përmirësimin e të dhënave të pasurive. Të dhënat janë kopje kartele dhe kopje harte. Do shikojmë që të përmirësojmë cilësinë e hartave, duke pasur parasysh se ne kemi një dhuratë nga qeveria shqiptare që është auto foto, e cila do jetë një pikë orientimi, që është një ndihmesë edhe për zyrën e regjistrimit, që informacioni i zyrave t’i afrohet sa më shumë realitetit. Kemi konstatuar se pasuritë kanë pasur zhvendosje nga realiteti me gjendjen që janë në zyrat e regjistrimit. Ky është një konstatim që ka ardhur nga regjistrimet që janë bërë sidomos nga viti 2001 deri në vitin 2006, nëpërmjet një projekti që ka qenë në Ministrinë e Bujqësisë atëherë për regjistrimin e pasurisë, sidomos për tokat bujqësore, sidomos në pjesën urbane të qyteteve të mëdha që gjithashtu kemi hasur edhe probleme të mëdha. Mbivendosjet janë krijuar për shkak të abuzimeve të ndryshme që kanë bërë institucionet që kanë tagrin ligjor për të dhënë një titull pronësie. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e ka pasur të pamundur edhe për shkak të sistemit të papërshtatshëm të pengonte regjistrimin e titujve të pronësisë për të njëjtën sipërfaqe. Ndërsa tani mund të themi se nuk krijohen më mbivendosje mbi të njëjtën sipërfaqe pasurie, pasi edhe sistemi e garanton një gjë të tillë. Në zyrat tona vazhdon punë për fshirjen e mbivendosjeve të krijuara dhe të regjistrimet e paligjshme. Kjo përsa i përket punës në zyrat tona, më pas për zgjidhjen mes pronarëve të një prone merret gjykata. Pastrimi i pronave të dubluara po ecën në vijimësi dhe me hapa të kënaqshëm. Mbetet një proces i vështirë dhe ne këtë e kemi thënë, por angazhimi ynë është që të krijojmë një regjistër unik të pronave. Qytetarët bëjnë kërkesa për fshirje në vijimësi dhe ZQRPP në bazë të procedurës del me vendime konkrete.  
Së fundi grupi i kontrollit bëri një inspektimin në ZRPP Tiranë dhe përpiloi një raport në të cilin u shënuan shkelje të shumta të ndodhura për dy vjet me radhë, si e komentoni këtë?
Problemet më të mëdha në Hipotekë më shumë janë nga aktet që vijnë nga institucionet e tjera që janë në problematika me njëra-tjetrën. Duke verifikuar dhe duke bërë kontrolle të vazhdueshme ne kemi zbuluar edhe shkelje, madje mund të jeni në dijeni se brenda 2 javësh ne kemi bërë tre ndryshime krerësh vendor. Gjë që në shumë raste nuk ka ardhur për faj të tyre, por më shumë të punonjësve. Ka pasur raste që qytetarët janë ankuar për sorollatje dhe mos përgjigje në kohë nga zyrat e regjistrimit, ku u është thënë që të shkojnë në një institucion tjetër për të marrë një dokument që në fakt e kishin dorëzuar ditë më parë. Por këto ankesa ne mund t’i verifikojmë dhe t’i zgjidhim mjaft lehtë, pasi çdo dokument që ata dorëzojnë për të regjistruar pronën e tyre, kalohet në sistemin e kompjuterizuar dhe ne mund ta gjejmë shumë shpejt që ai dokument është dorëzuar.

Tapitë e Kasharit të fshehura në sirtarë
TIRANE – Raporti i Kontrollit të Hipotekës së Tiranës do të nxirrte si rastin më flagrant dhe në kundërshtim me ligjin, gjetjen të fshehur nëpër sirtarë të 129 tapive të zonës së Kasharit, e cila në fakt është zona më problematike e këtij institucioni. Gjetja e këtyre tapive nëpër sirtarë, lë vend për abuzime, ndërsa mendohet se edhe mund të shiteshin. Gjithsesi, kjo mbetet në kuadrin e hipotezave, ndërsa fakt është se këto 129 Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, shumica e të cilave ishin  origjinale i përkisnin përfaqësuesve të familjeve bujqësore të fshatrave Kashar, Bërxull, Yzberisht, Mëzez. Këto tapi nuk ishin të arkivuara në ZVRPP Tiranë dhe nuk dihet se si janë futur në këtë institucion, pasi nuk kanë hyrë në rrugë ligjore. E vetmja rrugë ligjore për dërgimin e tyre në Hipotekën e Tiranës ishte dërgimi zyrtarisht, me shkrese përcjellëse nga Seksioni i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë, apo nga Komunat përkatëse. Gjithashtu, në momentin që u bë kontrolli pranë kësaj zone, këto akte nuk i ishin deklaruar grupit të kontrollit, nga poseduesja e tyre, Përgjegjësja e Sektorit Juridik dhe Hartografisë të zonës 1 dhe drejtuesit e ZVRPP Tirane të cilët megjithëse kishin pasur dijeni në lidhje me këtë fakt nuk kishin marrë masa për arkivimin e tyre. “Në lidhje me këtë fakt nga ana e grupit të kontrollit dhe disa përfaqësuesve të ZVRPP Tiranë është mbajtur një procesverbal. Mos arkivimi i këtyre tapive në arkivin e Hipotekës së kryeqytetit lë vend për abuzime”, pohohet në raport. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›