Komunistët s’dinë të kërkojnë falje

Disa media e kanë shtuar aq tepër zullumin për nxitjen e nostalgjisë ndaj diktaturës sonë të paranëntëdhjetës sa, për të larë këtë mëkat antishqiptar dhe antieuroatlantik, japin edhe ndonjë pamje të kundërt, domethënë atë që në gazetat perëndimore kanë për okielo fjalën: kundërsens. Njëra nga mediat vizive dha, më së fundi, një intervistë të Natalia (Natasha) Pengilit përmes gazetares Popa. Fjalët e ruses Natalia, e cila kishte ruajtur dashurinë e saj për popullin tonë, për virtytet e tij, për dhembshurinë ndaj vuajtjeve të saj, janë vërtet mbresëlënëse. Natalia foli pa pasion, qetësisht, me zë të shtruar, për ato që kishte hequr në një regjim mizor, sadist, monstruoz, duke qenë tërësisht e pafajshme. Kuptohet se e kemi fjalën për regjimin e Enver Hoxhës. Natalia tregoi për marrëdhëniet e saj në Bashkimin Sovjetik me studentin shqiptar, Enver Pengilin, nga Kruja. E kishte kaluar fëmijërinë e saj, si edhe të së motrës, pak vite më e vogël, si mos më keq. Babai i Natalisë kishte qenë me funksione të larta në ekzekutivin e Shtetit: ambasador dhe, më vonë, ministër. Por u ekzekutua në vitin 1938, në valën e spastrimeve staliniane. E ëma e Natalisë, e revoltuar tejmase, ishte shprehur hapur se burri i saj ishte i pafajshëm. U dënua edhe ajo me vdekje she u ekzekutua.
Të dy vajzat e mitura mbetën rrugëve. I mblodhi një teze dhe të dyja vajzat miturake u rritën në të keq.
Enver Pengili u dashurua me Natalinë. Erdhi vetëm në atdhe, në një kohë që nuk kishte ligj për martesa me të huajat. Pas disa vitesh doli ky ligj. Natalia ia behu në Krujë dhe çifti u celebrua. Rrethi familjar i E. Pengilit e priti me dashuri. Nusja gjeti një mjedis të përzemërt. Por erdhën kohë të rënduara në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Këto u ashpërsuan gjer në prishje të marrëdhënieve. Një pjesë e ruseve u larguan. Natalia nuk iku. Kishte dy vajza, tashmë. - Nuk desha t’i lija vajzat pa baba! - tha ajo. Ishte një familje në harmoni, për të cilën po afroheshin retë e zeza të stuhisë. Natalia e ruan gjakftohtësinë edhe kur tregon për torturat në hetuesi. Duhej t’i kalonin gjyqit në mënyrë të tillë që të “vërtetohej” pabesia e Krushovit. Ruset duhet të pohonin në gjyq se ishin spiune, në dobi të revizionizmit! Kur intervistuesja Popa e pyeti me dashamirësi nëse ajo pohoi një fajësi të paqenë, që i kërkohej në ato mënyra siç i përshkroi Natalia, kjo e fundit u përgjigj me thjeshtësinë më të madhe, pa u luhatur fare për të thënë një të vërtetë tronditëse: - Po, nënshkrova se isha agjente. Ishte e pamundur të bëja ndryshe. Do të dëshiroja të vdisja në hetuesí. Apo të vrisja veten. Por ata i kishin marrë masat që të mos ndodhnin gjëra të tilla. E keqja ishte se edhe pas këtij pohimi, kërkonin të argumentoja se ç’veprimtari kisha bërë si agjente! Këtu u tregova e fortë. Nuk mund të gënjeja më shumë...
Ne, dëgjuesit e emisionit dhe, sidomos gratë e shtëpisë, shtangën nga lebetia. Shumë sekuenca të dialogut të trishtuar shoqëroheshin me oh!-e nga femrat. Në bisedën pas mbarimit të këtij emisioni, gjithmonë hidhej fjala te Janulla, e cila i mallëngjente disa nga familjet e privilegjeve të komunizmit, sesi ishte sajuar një “dramë” ndaj djalit të saj, të cilin duhej ta pranonte se s’bën si bashkëshort, vajza e një shkrimtari të shquar të kohës, që provokohej në mënyra nga më të ulëtat nga ajo grua e cila vinte e bënte skandale, sepse ia lanë djalin pa marrë! Disa nostalgjikë intelektualë, sa s’u përlotën, duke menduar se e vërteta e thjeshtë nuk do të dilte jashtë kutisë së Pandorës. Por nuk vonoi e doli që kjo grua zullumqare kishte qenë spiunia që kishte marrë më qafë një mori grash të huaja, ndaj të cilave ishte afruar në marrëdhënie shoqërore. Dolën argumentet në trajtë dokumentesh në fac simile.
Kështu u ngrit një mal rrenash të paimagjinueshme nga një regjim që bënte gjyqe nën torturë dhe dënonte qenie të pafajshme. Në këtë film dokumentar vështruam dy pamje të Natalisë. Gruan e bukur me sy tërheqës e lëkurë të freskët të fytyrës; dhe Natalinë e rrënuar fizikisht, të rrudhur para kohe, pas tragjedisë së vuajtjeve më kot, për hakmarrje ndaj një shteti që kishte bërë destalinizimin, gjë që do të thotë se i kishte hapur dyert disidencës dhe se kishte ndaluar gjyqet politike! Ndërsa te ne, poeti Havzi Nela u dënua me varje në vitin e fundit të mbretërimit të Ramiz Alisë, nën diktaturë...
-A protestuan sovjetikët për keqtrajtimin tuaj? – e pyeti intervistuesja Natalinë. -Jo, ishte koha para Kongresit XX. Për mua, për shembull, nuk mund të kërkonin falje, se prindërit e mi ishin vrarë nga Stalini. Dhe krimet e tij nuk ishin denoncuar ende.
* * *
Regjimi enverist ishte gjakatar. PS-ja, që vetëm i ndërroi emrin PPSH-së, i la të paprekur kontingjentet e mëkatarëve. Ata që kishin gëzuar privilegjet e diktaturës duke shkaktuar fatkeqësinë e njerëzve të pafajshëm, nëpër hetuesitë, nëpër kampet e mundimeve, nëpër organet e represionit: operativët, prokuroritë, gjykatat politike... Natyrisht nuk mund të të përfliten njëlloj socialistët. Por ata që përmendëm më sipër, ata që do të ishin vija e parë e mësymjes antidemokratike (1997-a), pjesa ekstremiste e kësaj partie, pasi u pasurua bollshëm pas ’97-s, promovuan nostalgjizmin e hershëm, në dëm të demokracisë sonë. E tani jemi para një paradoksi, që është i veçantë në vendin tonë: ndërsa mëtojmë të hyjmë në Europë, na qenka i natyrshëm festimi në Pezë i figurës së Enverit, nën patronazhin e Edi Ramës. Gazetat në ndikim të tij na nxjerrin Nexhmijen me demagogjinë e saj. Na flitet edhe për dashuri: për atë të Nexhmijes me Enverin! (U harrua Ramize Gjebrea, viktimë e paudhësive komuniste!). Pa na u mbushën edhe muret e institucioneve tona me fotot e diktatorit, paçka se ish-të përndjekurit politikë protestonin dita-ditës. E kjo vazhdoi me kokëfortësí, gjer kur ndërhyri Doris Paku dhe ua përplasi nostalgjinë në fytyrë!
Nuk ndoqëm këshillën e Tadeus Masovjevskit që të bënim dekomunistizimin. Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KE-së e shkelmuan nostalgjikët. Do të vijë koha që do t’u kërkohet llogari atyre pseudoeuropianëve të kësaj specieje! Rexhep Qosja s’e kishte për turp që të kërkonte Pajtim Kombëtar në të cilin mëkatarët të zinin kreun e tavolinës dhe të refuzonin që të kërkonin falje për krimet e komunizmit. Ai u njëjtësua që në fillim me flamurin e nostalgjisë, që mbahej nga duar të përgjakura.
Nga një intervistë e mprehtë e F. Balliut në “55-n” e 11 tetorit të 2009-s, na pëlqen të citojmë: “Atëherë Tiranën e kishte mbuluar jeta e sojsëzëve të Bllokut që hanin, pinin, visheshin, ushqeheshin, dilnin jashtë dhe, megjithëse konsumonin 90 për qind të proteinave të vendit, jo vetëm që nuk nxirrnin dot një talent, një njeri me vlerë në një fushë, por veç falsifikonin, gënjenin, mashtronin dhe ishin të përfshirë në një banalitet dhe në një mediokritet intelektual, i cili e ngacmon shkrimtarin në plagë. Që nga viti ’44-’90, me përjashtim të Bashkim Shehut, i cili bëri një përpjekje dhe u individualizua në fushën e letërsisë, absolutisht asnjë pinjoll i kësaj nomenklature, nuk mundi të shfaqte vlera të veçanta, por u mbetej që ta shpalosnin veten nëpërmjet peshës politike të Familjes, duke e paraqitur atë si vlerë...”.
Për ata që nuk e kanë lexuar këtë intervistë interesante, në të cilën i intervistuari pyetet për suksesin e fundit në botën perëndimore të “Panteonit të Zi” , pas best-sellerit për “Zonjën e Zezë”, vëmë në dukje se flitet për shterpësinë e Bllokut në art dhe në shkencë. Përndryshe përmenden edhe intelektualë të kohës, si Dhimitër Xhuvani, Vath Koreshi, Teodor Laço, Petro Marko... “Ndarjen me të kaluarën e pengojnë komunistët” është një artikull i Bedri Blloshmit, që e mbyll me dinakun komunist R. Alinë, shkrimin e tij: Sekretari I i KQ të PPSH-së, do të vinte në partitë njerëzit e tij që, sipas udhëzimeve të Katovicës, do të shanin me rrënjë e me degë komunistët, që të bëheshin të besueshëm. “Mbas 3-4 legjislaturash ne do të kemi plotësisht njerëzit tanë që do të qeverisin. Ndërsa klasën e përmbysur, të burgosurit politikë nuk do t’i besojmë asnjëherë. Njerëzit tanë, të vendosur në krye të dikastereve, do të dinë t’i sorollatin” (“Republika”, 9.10.09).
Ish-të burgosurit politikë nuk mund të votojnë kurrë për Edi Ramën, që është zëdhënësi më i denjë i Ramiz Alisë . Ata meritojnë të gjithë përkrahjen, si njerëzit në nevojë që kanë mbetur.
...