Energjia, ulen prurjet e ujit, KESH do të rrisë importin
• Ulet niveli i prurjeve në kaskadën e Drinit. Muajt e parë të vitit 2008 nuk kanë qenë dhe fort të mbarë për Korporatën.Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata, prurjet e ujit në liqen janë 87 m3/sek. Krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar niveli i prurjeve të ujit ka pësuar ulje, çka tregon se situata e prurjeve të ujit këtë vit është goxha e vështirë. Konkretisht në shkurt në 2007-ës prurjet ishin 163 m3/sek. Të dhënat tregojnë se prurjet e këtij viti janë më të ulëta se mesatarja 10-vjeçare, ku prurjet janë 241 m3/sek. Por kjo nuk do të thotë se situata në Fierzë është kritike. Aktualisht KESH ka mundur të grumbullojë një rezervë prej 900 milionë kilovat orësh. Por nga ana tjetër pavarësisht kësaj rezerve KESH-it i duhet të rrisë importin e energjisë në mënyrë që të mos rifillojë kufizimet e energjisë elektrike. Në fund të vitit të kaluar KESH kishte planifikuar që për muajin shkurt-mars të importonte 360 megavat energji elektrike, por nisur nga situata jo e kënaqshme e prurjeve të ujit Korporatës i duhet të rrisë importin me 50 megavat orë energji. Reshjet janë një faktor shumë i rëndësishëm për Korporatën, pasi mbi 90 për qind e energjisë në vend prodhohet nga HEC-et. Aktualisht, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 282.64 metra mbi nivelin e detit dhe rënia ditore e ujit është 10 cm. Mungesa e reshjeve është bërë shkak i dy krizave të njëpasnjëshme energjetike në vend. Si pasojë e këtyre krizave KESH-i ka importuar energji në kuota maksimale, çka ka ndikuar në përkeqësimin e situatës financiare të kësaj kompanie.