E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Mbroni të varfrit nga rritja e çmimit

• Qeveria shqiptare duhet të rrisë tarifat e energjisë, por me kusht që të mbrojë shtresat e varfra.Fabiola Çela Këtë herë kërkesa vjen nga zyrtarët më të lartë të Bankës Botërore. Gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë Jane Armitage, drejtoreshë dhe koordinatore Rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore ka theksuar se qeveria duhet të rrisë çmimin e energjisë elektrike. Ndërkohë gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Armitage vizitoi gjithashtu edhe termocentralin e Vlorës, ku ka konfirmuar edhe një herë se ndërtimi i këtij centrali do të vazhdojë, pavarësisht protestave të bëra kohët e fundit nga ambientalistët. “Shtimi i kapacitetit të prodhimit të energjisë përmes këtij termocentrali është i rëndësishëm për diversifikimin e burimeve dhe sigurimin e furnizimit me energji”, theksoi ajo. Madje ajo është shprehur goxha e kënaqur për progresin e punimeve dhe zbatimin e planit të mbrojtjes mjedisore në ndërtimin e këtij TEC-i.KESHNdërkombëtarët i kanë kërkuar sërish qeverisë shqiptare që të rrisë çmimin e dritave. Drejtoresha e BB-së, Armitage e inkurajoi qeverinë të lëvizte drejt tarifave ekonomike për të siguruar kështu mundësi financiare për KESH-in dhe perspektiva për pjesëmarrje të sektorit privat, duke vendosur në të njëjtën kohë një sistem mbrojtës për konsumatorët e varfër. Gjithashtu ajo theksoi rëndësinë e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së KESH-it si një moment kritik për zgjidhjen e disa çështjeve të hershme të furnizimit me energji. Në fakt nuk është hera e parë që ndërkombëtarët i kërkojnë qeverisë të rrisë tarifat e energjisë. Aktualisht KESh i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë që të miratojë kërkesën e saj për të rritur tarifat e energjisë elektrike. Sipas burimeve nga ERE, vendimi për të rritur tarifat do të merret brenda kësaj jave. Por ende nuk dihen se sa do të jetë kjo rritje e tarifave të energjisë. Për 2008 Korporata ka kërkuar ndarjen e çmimit të familjarëve nën 400 dhe mbi 400 kilovat-orë konsum në muaj. KESh nuk e ka përcaktuar nivelin maksimal të tarifës por ka kërkuar nga ERE që çmimi mesatar të jetë 8.43 lekë/kilovat. Propozimi për bandën nën 400 kilovat/orë është 7.3 lekë për kilovat. Aktualisht çmimi për familjarët është 7 lekë për kilovat dhe rritja e parashikuar nga KESh është shumë e vogël. Por, sipas llogaritjeve një rritje tepër e madhe vjen për konsumatorët që konsumojnë mbi 400 kilovat orë energji. Në rast se do të miratohet çmimi mesatar prej 8.43 lekësh dhe për bandën e parë nën 400 kilovat çmimi i propozuar është 7.3 lekë/kilovati, atëherë për bandën mbi 400 kilovat, ky çmim do të jetë 10.43 lekë/kilovati. Bujqësia Banka Botërore është një ndër donatorët kryesorë të projekteve bujqësore në vend. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, drejtoresha e Bankës Botërore, Armitage, vizitoi dhe u takua me përfituesit e projekteve të Shërbimeve Bujqësore në Tiranë, Lushnjë, Vlorë dhe Sarandë. Asaj i bënë përshtypje të thellë rezultatet e arritura nga grantet konkurruese të Bankës Botërore që financojnë qasje novatore në bujqësi dhe vuri në dukje se “aftësitë e mira teknike, shpirti sipërmarrës dhe tradita bujqësore në Shqipëri përbën një bazë të mirë për të ndërtuar një sektor konkurrues eksporti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›