E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti Mysliman organizon konferencën “Media dhe Feja”

Konferenca nisi me shfaqjen e dokumentarit “Një shekull në shërbim të kombit”, në të cilin pasqyrohej roli dhe veprimtaria e Komunitetit Mysliman në këto 20 vite. Në dokumentar gjithashtu theksohej rëndësia që KMSH i ka dhënë arsimit përmes hapjes së medreseve në të gjithë vendin, si institucione me ndikim themelor në formimin edukativ, kulturor, social e fetar të nxënësve. Gjithashtu dokumentari i bëri një pasqyrim lindjes dhe rrugëtimit të gazetës “Drita Islame”, organ zyrtar i Institucionit dhe një emër me ndikim në median e shkruar islame në këto 20 vite.

Aktivitetin e përshëndeti kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça. Në rolin e mikpritësit z. Muça falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre në këtë event të rëndësishëm e të dobishëm.

Në fjalën e tij z. Muça e cilësoi “Drita Islame” prijatare të shtypit islam në Shqipëri, duke evidentuar ndikimin e saj në zgjimin e vetëdijes fetare dhe dobinë në pasurimin e horizontit fetar e kulturor të shqiptarëve myslimanë. Duke cituar ajetin e parë të Kuranit, i cili fillon me fjalët “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi gjithçka”, z. Muça theksoi se ishte kjo porosi hyjnore që frymëzoi themeluesit e Komunitetit Mysliman që të hapnin këtë organ mediatik në 1992, duke pasur si qëllim t’i paraqisnin shoqërisë shqiptare, parimet dhe vlerat e patjetërsueshme të fesë, që ishin lënë në harresë për gati gjysmë shekulli.

Drejtori i Medias në KMSH, njëherësh kryeredaktori i “Drita Islame”, z. Agron Hoxha, i cili mori fjalën më pas, bëri një pasqyrë përmbledhëse të “jetës” së gazetës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si të suksesshëm dhe investimin e saj të shumëfishuar.

“Drita Islame qysh në numrin e saj të parë qe një ngjarje e shënuar për publicistikën islame shqiptare si vazhduese e denjë e revistave “ Zani i Naltë” e “Kultura Islame”. Në faqet e saj janë botuar materiale të shumta e me tematikë të larmishme, si studime, analiza, portrete, çështje fetare e edukative, diskutime, reportazhe e kronika, përmes të cilave shpalosen vlera për edukimin shpirtëror islam për dashuri e përgjegjësi kombëtare dhe për tolerancë ndërfetare.

Në të janë publikuar artikuj për personalitetet e shquara fetare, arsimore e kulturore që me jetën e tyre kanë krijuar frymë epokale, kanë përfaqësuar me autoritet, aftësi e përkushtim traditat më të mira të vlerave intelektuale islame jo vetëm për vendin, por edhe në nivel ndërkombëtar. Numri i studiuesve, bashkëpunëtorëve dhe i veprimtarive ka qenë në rritje, tematika e materialeve e gjerë dhe e larmishme, ndërsa gjinia e ndryshme, cilësia e lartë dhe e vlerësuar”, u shpreh midis të tjerash z. Hoxha.

Paneli

Konferenca vijoi me seancën e dytë nën drejtimin e moderatorit Ramadan Çipuri me kumtesat e mbajtura nga gazetarët dhe analistët Lutfi Dervishi, Agron Tufa, Agim Baçi si dhe teologu Gazmend Aga (N/Kryetar i KMSH-së).

Në kumtesat e tyre u trajtuan çështje si: Ndikimi i medias në ndjenjën fetare, besimin, bamirësinë, tolerancën; keqpërdorimi i fesë në media; transparenca fetare dhe transparenca e medias në çështjet fetare; kualifikimi i gazetarëve për çështje të besimeve fetare; promovimi në media i aktiviteteve të komuniteteve fetare; vendi i komuniteteve fetare dhe kontributi i tyre në shoqëri, etj.

Analisti i njohur Lutfi Dervishi pohoi se media nuk po e luan si duhet rolin e saj për pasqyrimin e temave fetare. “Media jonë nuk ka staf të kualifikuar për trajtimin e këtyre temave e për pasojë jo në pak raste lindin keqkuptime e keqinformime”, nënvizoi ai duke shtuar se veç të tjerash mediet kane shumë pak njerëz për shumë lajme. “Jemi rritur në një shoqëri ku shekullarizmi ka qenë militant”, tha Dervishi. "Marrëdhënia mes medies dhe fesë ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit, por përsëri duhet një marrëdhënie më e ngushtë në kuadër të promovimit të vlerave humane”.

Sipas shkrimtarit dhe publicistit Agron Tufa, përmirësimi nga viti në vit i marrëdhënies mes fesë dhe medies ka ardhur përveç të tjerash edhe për faktin se në tregun mediatik janë futur breza të ri gazetarësh, të formuar në sistem demokratik, larg mendësive komuniste.

Në fund të konferencës u shpërndanë çmimet e Mirënjohjes për themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të gazetës “Drita Islame”./Start/

                                                                                             2012-02-18 16:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›