E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti evropian do të procedojë me shpejtësi për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë

Eurodeputetja Tanja Fajon viziton Tiranën, takohet me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta

Institucionet evropiane do të marrin në kohë rekord vendimin për heqjen e vizave me Shqipërinë. Kështu u shpreh dje eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, e njohur si një nga mbështetëset më të zjarrta të proceseve integruese të Shqipërisë, kryesisht në çështjen e liberalizimit të vizave me BE. Fajon, e cila po zhvillon një vizitë në vendin tonë, menjëherë pas mbërritjes në kryeqytetin shqiptar, u prit në një takim nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Hartuesja e rezolutës së miratuar nga Parlamenti Evropian në 12 nëntor, lidhur me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në regjimin e lëvizjes pa viza drejt  hapësirës “Schengen”, tha se PE do të procedojnë me shpejtësi drejt heqjes së plotë të vizave.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme Meta e falënderoi eurodeputeten Fajon lidhur me këtë iniciativë të suksesshme dhe paraqiti një tablo të përditësuar të plotësimit të kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Shqipëria.
Eurodeputetja Fajon shprehu angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe konfirmoi vullnetin e Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera komunitare për të proceduar sa më parë me marrjen e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët tanë.
Gjithashtu, Fajon pritet të marrë pjesë në konferencën e titulluar: Regjimi pa viza për Shqipërinë – hapat e fundit”, e cila do të zhvillohet sot në bashkëpunim mes MPJ dhe shoqërisë civile.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›