E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’është detyrë e Policisë të zgjedhe logjistikën dhe podiumet e protestuesve socialistë”

Mitingu i PS me vendorët, reagon Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka reaguar dje pas akuzave për shtyp të Partisë Socialiste se protesta e përfaqësuesve vendorë socialiste, organizuar dje para kryeministrisë u cenua nga forcat e Policisë. Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Policisë hedh poshtë këtë akuzë dhe sqaron opinionin publik se nuk është detyrë e policisë fakti që protestuesit nuk kishin marrë masat e duhura logjistike dhe njëherazi kërkesat e tyre për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut.
“Kërkesat për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit, vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut është e qartë se nuk i shërben zhvillimit normal të tij. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, garanton opinionin publik, Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe te gjitha subjektet politike, se ashtu si deri më tani, do të respektojë vetëm detyrimet ligjore në rastet e tubimeve apo manifestimeve në vendet publike, dhe do të demonstrojë, fleksibilitetin e nevojshëm për të koordinuar punën e saj me organizatorët e tubimeve, në interes të zhvillimit normal të tyre dhe të sigurimit e të qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Gjithashtu Drejtoria e Policisë sqaron se nuk është përgjegjësi e Policisë së Shtetit dhe as detyrim ligjor i saj, përcaktimi i vendit të vendosjes së podiumeve apo foltoreve në tubime apo aktivitete të forcave politike.
“Po kështu mendojmë se, prezenca e policisë në tubimet e forcave politike nuk ka shqetësuar dhe as nuk do të shqetësojnë pjesëmarrësit dhe organizatorët në këto aktivitete”.
Në vijim të njoftimit për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është e bindur se shkaku për incidentin e krijuar përpara fillimit të tubimit të Partisë Socialiste duhet kërkuar në mos marrjen e masave logjistike nga ana e organizatorëve të tubimit dhe jo tek Policia e Shtetit.
Në komunikimin për shtyp bëhet e ditur gjithashtu se “janë njoftuar me shkrim organizatorët, për gatishmërinë e policisë, që në respekt të ligjit të garantojë zhvillimin normal të këtij tubimi”.
“Në zbatim të detyrimeve ligjore, janë njoftuar me shkrim për zhvillimin e këtij tubimi, Prefekti i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranë.
Është bërë planizimi i shërbimeve të policisë, duke parashikuar e vendosur në vende shërbim punonjës policie në trotuarin para godinës së Kryeministrisë, në trotuarin para godinës së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe duke bllokuar totalisht trafikun në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ nga ora 11.55 e deri në përfundim të aktivitetit.
Është marrë takim me organizatorët para fillimit të tubimit, në kohën kur ishin vendosur në shërbim punonjësit e policisë dhe nga ana e tyre nuk janë shprehur rezerva apo sugjerime për mënyrën e vendosjes së shërbimeve të policisë. Në këtë tubim shërbimet e policisë janë organizuar në mënyrë standarde siç janë vendosur edhe në të gjitha tubimet e organizuara më parë nga Partia Socialiste apo subjekteve të tjera politike”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›