E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, 18 miliardë lekë investime në tre muaj

 

Fabiola Çela

Në prag fushate elektorale Qeveria rrit ndjeshëm shpenzimet për investime. Vetëm për tre muajt e parë të vitit qeveria ka shpenzuar plot 18 miliardë lekë për investime publike. Pjesa më e madhe e këtyre parave janë shpenzuar për projektin e rrugës Durrës-Kukës, pasi siç dihet ky është një premtim elektoral i qeverisë demokrate dhe zyrtarët e qeverisë kanë premtuar se kjo rrugë do të përfundojë në muajin qershor. Gjatë një deklarate për media kreu i Ministrisë së Financave Ridvan Bode është shprehur se nëse kriza botërore do të pësojë rënie, atëherë rritja ekonomike e vendit për këtë vit do t’i tejkalojë parashikimet e FMN-së.
Investimet
“Shpenzimet kapitale në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar janë rritur me 3.3 herë ose nga 5 miliardë lekë që kanë qenë në tremujorin e parë të vitit të kaluar, janë 18 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2009, çka premton një ecuri pozitive të investimeve publike përgjatë vitit”, është shprehur dje ministri i Financave Bode. Sipas tij, rreth 50 % e investimeve të tremujorit të parë, ndërkohë që në tremujorët e tjerë sigurisht, që do të jenë rreth 2/3 e investimeve në objekte të tjera. “Përshpejtimi i punimeve në këtë objekt lidhet me faktin që ka një angazhim dhe program për të përfunduar deri në muajin qershor punimet masive në këtë vepër”, ka thënë ministri.
Kriza
Nëse kriza globale do të vazhdojë të tkurret atëherë rritja ekonomike e vendit për tre muajt e parë të vitit do të jetë më e lartë se parashikimet e FMN-së. “Mund të kemi një rritje ekonomike që mund të shkojë 4–5 % në vitin 2009, nëse do të vijojë me të njëjtin agresivitet në rënie, veprimi i presionit ndërkombëtar. Nëse do të kemi denatyrime të mëtejshme në tregun ndërkombëtar dhe presioneve të tjera, që mund të vijnë nga tregu financiar ndërkombëtar kjo është një çështje që duhet rivlerësuar. Pra, për momentin nuk kemi nevojë dhe FMN e deklaroi se nuk kemi nevojë të bëjmë një rishikim të objektivave buxhetorë, financiarë dhe makroekonomikë të vitit 2009”, ka thënë ministri Bode.
Të ardhurat
Gjatë deklaratës së tij për media kreu i Financave ka sqaruar në detaje të gjtihë treguesit për 3-mujorin e parë të vitit. “Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën tremujore janë realizuar në masën 97 %. Të ardhurat e buxhetit qendror janë realizuar 100 %, me një diferencë prej rreth 600 milionë lekë kundrejt 74.6 miliarë që janë të programuara”, tha Bode. Ndërkohë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave pushteti vendor është sërish prapa me mbledhjen e të ardhurave. Sipas ministrit, të ardhurat e buxheteve vendore janë realizuar në masën 64%, çka shkakton edhe atë mosrealizim në totalin e të ardhurave. Mbledhja e të ardhurave nga taksa e tatim fitimit dhe ajo doganore janë më të ulëta se vitet e kaluara. Por sipas ministrit,  tatimi mbi fitimin për shkak se në tremujorin e parë është përllogaritur tatimi i vitit 2007 me një normë taksimi prej 25 % kurse nga 1 janari i vitit të kaluar taksohet me 10 % dhe kjo përbën diferencën që është krahasuar me më parë. Ndërsa, taksa doganore për shkak të uljeve shumë të mëdha, që ju bënë tarifave doganore në kuadrin e marrëveshjeve tregtare rajonale dhe me BE –në është po ashtu në një nivel më të ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

TVSH-ja e dritave
Pak ditë më parë zyrtarë të Bankës Botërore i sugjeruar qeverisë që të ulë TVSH-në për energjinë elektrike. Por zyrtarët e qeverisë nuk kanë qenë në një mendje me BB-ë. “Nuk mendoj se është një stimul fiskal për ekonominë ulja e TVSh –së apo prekja e TVSH–së. Unë mendoj, personalisht jam i bindur, që mbajtja e TVSH–së në këtë nivel përbën veprimin më pozitiv dhe të fuqishëm që ekonomia shqiptare të performojë dhe konkurrojë në tregun rajonal dhe më gjerë. Është instrumenti më i mirë për të nxitur eksportet shqiptare. Nëse do të vijojmë me politika jo të përshtatshme shpesh herë edhe zgjedhore, të deklarojmë ulje, përgjysmime apo prekje të nivelit të këtij taksimi do të ishte me pasoja për ekonominë”, ka deklaruar ministri i Financave Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›