E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori egjiptian i bankës kërcënohet me telefon

27/02/2009  I kërkonin 90 mijë euro në të kundërt do ta eliminonin bashkë me familjen

TIRANE- Egjiptiani Ehad Shukri Sad, drejtues ekzekutiv i filialit të bankës Union Islamik Bank në Tiranë, është kërcënuar me vdekje nga disa persona ende të panjohur. Mësohet se mesazhet kërcënuese i janë dërguar fillimisht bashkëshortes së tij, ku midis radhëve të tekstit të mesazhit i kërkohej familjes egjiptiane rreth 90 mijë euro. Nëse shuma e parave nuk do të paguhej nga drejtuesi i bankës islamike, atëherë autori i tekstit të mesazhit do i vriste Ehad Shukri Sadit, vajzën e vogël, gruan dhe vetë kryefamiljarin. Menjëherë pas këtyre mesazheve kërcënuese egjiptiani i është drejtuar Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku në praninë e ekspertëve ai së bashku me bashkëshorten e tij Almara Read, kanë kryer denoncimin. Duke e specifikuar ngjarjen si “Shtrëngimit me anë të kanosjes” për përfitim të pasuri, denoncimi i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për të hedhur sa më shumë dritë mbi ngjarjen ditën e djeshme në organin e akuzës është marrë në pyetje shtetasi egjiptian Ehad Shukri Sad dhe bashkëshortja e tij Almara.

Denoncimi në Prokurori

Burrë e grua, ata kanë treguar përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda tekstin e mesazheve kërcënuese si dhe detaje të tjera, që ekspertët nuk pranojnë t’i bëjnë me dije. Lidhur me këtë çështje janë marrë në pyetje edhe katër persona të tjerë, ku mësohet se njëri prej tyre është shoferi personal i drejtuesit të filialit të bankës Union Islamik Bank. Prokurorët nuk pranojnë të japin të dhëna konkrete mbi deklarimet e tyre, por theksojnë se aktualisht numri telefonik që ka dërguar mesazhe kërcënuese është identifikuar dhe se po punohet për arrestimin e autorit të këtij krimi të rëndë. Ndërkohë që policia ka marrë masa për mbrojtjen e familjes së zyrtarit egjiptian, duke vënë patrulla në mbrojtje të familjes. Burimet policore bënë të ditur se në mbrojtje të kësaj familjeje janë vënë edhe agjentë civilë, të cilët po vëzhgojnë 24 orë pa ndërprerje banesën e çiftit egjiptian që ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë stadiumit “Selmas Stërmasi”. Pritet që në ditët në vazhdim specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të hedhin sa më shumë dritë mbi detajet reale të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Precedenti

E njëjta ngjarje ka ndodhur dy vjet me parë në qytetin e Korçës, ku një biznesmen kërcënohet me anën e letrave nga dy të rinj. Sipas pretendimeve të këtyre të fundit, biznesmeni ishte kapur “mat” me një femër dhe dy autorët i bënin presion me anën e një fotografie, duke i kërkuar atij 50 mijë euro, dhe se në rast të kundër fotoja e tij do përhapej në të gjitha rrugët e Korçës. Pas kësaj situate viktima ka kryer kallëzim dhe autorët më pas u arrestuan.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›