E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti ortodoks ndihmon në rimëkëmbjen e të përmbyturve të Shkodrës

10/02/2010  Kisha Ortodokse dhuron 5 mijë euro dhe 5 tonë ushqime
Thirrjes për t’iu gjendur pranë të përmbyturve në zonën e Shkodrës, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë iu përgjigj me përkushtim, duke u bërë apel të gjithë besimtarëve të saj që të ofronin kontributin e tyre sipas mundësive të gjithsecilit. Siparin e kësaj fushate e ngriti vetë kreu i Kishës, Imzot Anastasi, duke u bërë thirrje të gjithë besimtarëve të dhuronin çfarë të kishin mundësi, si dhe duke dhënë shembullin e tij personal. Pas një fushate dyjavore në qytete dhe fshatra të Shqipërisë u mblodhën rreth 600 000 lekë të rinj. Këto ditë ishte në Shkodër Episkopi i Krujës, Imzot Andoni, i shoqëruar nga klerikët e këtij qyteti At Aleksandër Petani dhe At Nikolla Petani, të cilët u takuan në bashkinë e këtij qyteti me kryetarin, z. Lorenc Luka, për të dorëzuar shumën e parave të mbledhura.
Kryetari i Bashkisë, pasi u uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të Kishës Ortodokse, i njohu ata me gjendjen e krijuar dhe atë aktuale në këtë zonë. Fillimisht ai shprehu gëzimin e madh që kjo situatë katastrofike kaloi pa dëme në njerëz dhe se gjithashtu të gjithë personat e evakuuar nga përmbytjet tashmë janë kthyer nëpër banesat e tyre dhe situata po shkon drejt normalizimit të plotë. Ai shprehu mirënjohjen e tij për shpejtësinë e treguar nga Shtabi i Emergjencës në përballimin e kësaj situate, duke theksuar gjithashtu dhe prezencën e shtetit në këto ditë të vështira, e cila ishte shembullore. Hirësi Andoni nga ana e tij shprehu angazhimin e Kishës Ortodokse për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë dhe jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai e njohu kryetarin e bashkisë me ndihmën dhe kontributin që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dhënë dhe vazhdon të japë në zhvillimin e vendit tonë, duke nënvizuar fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. "Qytetin e bëjnë qytetarët, - u shpreh z. Luka, - dhe investimet jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë duhet të jenë projekte, plane dhe masterplane, të cilat duhet të jenë afatgjata dhe se investimi në arsim është i një rëndësie të veçantë." Më tej, Hirësi Andoni tregoi mënyrën e mbledhjes së këtij kontributi, para këto të dhuruara nga besimtarë të shtresave të ndryshme dhe nga zona të ndryshme të vendit. Z. Luka shprehu admirimin e tij për këtë solidaritet të treguar nga besimtarët ortodoksë, i cili nuk ka çmim dhe që ka një vlerë të madhe. Në fund, z. Luka bëri një falënderim për të gjitha institucionet që dhanë ndihmesën e tyre për personat e përmbytur, por në veçanti për klerin, i cili u gjend pranë dhe që kreu një rol të rëndësishëm në përmirësimin e të gjithë situatës së krijuar. Kjo ishte ndihma e dytë e dhuruar prej Kishës Ortodokse për zonën e përmbytur të Shkodrës brenda një kohe të shkurtër. Ndihmesa e parë ishte ajo e pak kohëve më parë në Shtabin e Emergjencës së këtij qyteti me 5 tonë ndihma, të cilat përmbanin ushqime, veshmbathje, shtresa, etj. Kisha tregoi sërish vullnetin e saj të mirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, duke u bërë pjesë aktive në këtë nismë, duke dhënë gjithashtu shembullin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›