Projekti “Shkupi 2014” shkakton tension në Maqedoni
Prezantimi i planit urbanistik për qytetin e Shkupit në sheshin e të cilit parashikohet që deri në vitin 2014 të ndërtohet një kishë, ndërtesa e administratës së qytetit, përmendorja e Aleksandërit të Madh, figura të historisë maqedonase si dhe figura luanësh, ka shkaktuar reagime të shumta tek përfaqësuesit e sektorit civil për shkak se në këtë projekt nuk parashihet asnjë objekt që simbolizon historinë, apo kulturën shqiptare në Maqedoni. Sipas kryetarit te këshillit iniciator për ndërtimin e xhamisë Burmali, Ramadan Ramadani fakti që ndërtimi i xhamisë Burmali, nuk është parashikuar në projektin “Shkupi 2014”, tregon se kryeministri Nikolla Gruevski ka dërguar sinjal se për të, myslimanët në Maqedoni, nuk janë të dëshiruar. Ai kërkon që toka ku ka ekzistuar xhamia, t’i jepet Bashkësisë Fetare Islame, ashtu siç u veprua me kishën ortodokse maqedonase.Lëvizja qytetare “Zgjohu” dhe organizatat e tjera joqeveritare, kërkojnë që në projektin “Shkupi 2014”, të përfshihen monumente të historisë shqiptare në mënyrë që ky shesh të rrezatojë frymë multietnike dhe multikonfesionale, që e karakterizojnë këtë shtet. Edhe partitë politike shqiptare vlerësojnë se përjashtimi i identitetit shqiptar, në ndërtimet e reja në kryeqendër, është i rrezikshëm dhe tensionon raportet ndëretnike në vend.Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së në pushtet, thotë se esenca e projektit “Shkupi 2014”, është shkaktimi i përçarjeve në shoqërinë e Maqedonisë. Demokracia e Re në opozitë vlerëson se realizimi i projekteve që identifikohen vetëm me kulturën dhe historinë maqedonase, tensionon raportet edhe ashtu të rënduara ndëretnike. Realizimi Projekti Shkupi 2014 sipas analistëve, mund të cënoj marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mund të ndikojnë në përkeqësimin e situatës politike. Këto vlerësime përputhen edhe me porositë që gjithnjë e më shumë vijnë nga diplomatët e lartë evropianë.Sipas tyre, Maqedonia mund të përfshihet në një periudhë destabiliteti, nëse nuk hiqet dorë nga investimi i projekteve antike dhe, përfundimisht, nuk fokusohet në zgjidhjen e çështjes së emrit, si dhe në debllokimin e procesit të integrimit në strukturat Euro-atlantike./trt/