Dhunohet në mes të rrugës, i digjet autovetura
10/02/2010 Në spital shtetasi, nuk tregon agresorët
DURRES- Persona të paidentifikuar kanë detyruar forcërisht të zbresë nga mjeti një shtetas nga Durrësi dhe pasi e kanë rrahur e kanosur për vdekje i kanë vënë zjarrin autoveturës. Në mbrëmjen e së hënës tre persona të armatosur kanë detyruar drejtuesin e mjetit tip Benz 200 me targa DR 9139 D të ndalohet në anë të rrugës. Shtetasi A.P i moshës 38 vjeç është vënën nën kërcënimin e armëve në vendin e quajtur kthesa e Arapaj në rrugën Plepa të Durrësit-Tiranë. Rruga që ndryshe njihet si rruga e Ndroqit është shumë e ngarkuar nga fluksi i qarkullimit të automjeteve dhe personat me armë në dorë janë parë nga shumë drejtues të mjeteve. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, tre burra të moshës deri në 40 vjeç i kanë bllokuar. Më pas i kanë vënë flakën mjetit dhe janë larguar pa u identifikuar nga policia. I dëmtuari është dërguar në spitalin e Durrësit dhe më pas është pyetur nga agjentët e antikrimit, por mësohet se A. P i është shmangur deklarimit lidhur me identifikimin e personave. Nga hetimet paraprake mendohet se shkak duhet të jetë bërë ndonjë borxh apo konflikt i mëparshëm mes palëve.