E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popullsia, regjistrimi fillon në prill

10/02/2010  INSTAT
Regjistrimi i popullsisë, i cili ndezi aq shumë debate, pasi në të do të përcaktohej edhe feja që i përket çdo shtetasi shqiptar pritet të fillojë si projekt pilot brenda muajit prill, ndërkohë që zbatimi i plotë i tij në terren do të realizohet vitin e ardhëm. Instituti i statistikave organizoi dje tryezën e parë të diskutimeve rreth regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, ku përveç popullsisë do të realizohet edhe regjistrimi i banesave. Përfaqësues të INSTAT-it bënë të ditur në tryezën e djeshme se gjatë këtyre regjistrimeve do të ndahet një pyetësor që do të jetë individual. Pyetësori do të përmbajë pyetje për etninë dhe fenë, por siç theksuan përfaqësues të INSTAT-it, nuk do të jetë i detyruar. Individët edhe mund t’i shmangen përgjigjes së kësaj pyetje. Banorët gjithashtu do të marrin edhe një pyetësor rreth njësive ekonomike që ata u përkasin, për të bërë të mundur kështu dhe regjistrimin e popullsisë sa i përket fushës ekonomike. Ndërkohë mësohet se përveç gjeneraliteteve qytetarët do të pyeten edhe për gjuhën anëtare, si dhe për gjuhët e tjera që mund të flasin. Mësohet se pyetja për moshën e të intervistuarit si dhe për fenë që i përket do të jetë individuale dhe jo e detyrueshme. Pikërisht lidhur me këtë të fundit u përqendruan diskutimet në këtë takim, pasi shqiptarët janë një popull ku ka ndërthurje të feve të ndryshme brenda një familjeje.
Diskutimet
Përpara se të fillojë diskutimi për regjistrimin e popullsisë në muajin prill do të organizohen disa tryeza diskutimesh me organizatat jo-fitimprurëse. Këto diskutime do të shërbejnë për të evidentuar kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e OJF-ve mbi këtë regjistrim, pasi këto organizata janë përdorues të gjerë të të dhënave social-demografike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›