Komuniteti rom, ministri i Punës mbledh donatorët për Planin Kombëtar të Veprimit
Ministri i Punës, Spiro Ksera, ka mbledhur dje përfaqësues të organizatave ndërkombëtare donatore, për t’i njohur me Planin Kombëtar të Veprimit për Romët dhe për t’u kërkuar mbështetjen e tyre në realizimin e objektivave dhe masave konkrete të këtij plani. “Ne tashmë kemi hartuar dhe jemi gati për zbatimin e një Plani Kombëtar të Veprimi, 2010-2015, në objektivat e të cilit janë rritja e pjesëmarrjes dhe frekuentimit të arsimit, zhvillimi i trashëgimisë kulturore, rritja e aksesit në formim profesional, punësim, skemat e mbrojtjes sociale, shërbimi shëndetësor, përmirësimin e kushteve të strehimit dhe infrastrukturës, parandalimi i diskriminimit social dhe institucional të anëtareve të komunitetit rom”,- u shpreh ministri i Punës. Ksera ka bërë të ditur se për realizimin e këtyre objektivave dhe masave të parashikuara në Planin e Veprimit, për çdo fushë është parashikuar buxheti i nevojshëm që do të sigurohet nga buxheti i shtetit në bashkëpunim me organizatat donatore. Sipas vlerësimit të bërë nga ekspertët e të gjitha fushave, në total, buxheti për të gjithë Planin e Veprimit llogaritet në 2 miliardë e 498 milion lekë, ndërsa buxheti vjetor në 417 milion lekë. Duke u ndalur konkretisht në sektorë të veçantë, në të cilat kërkohet mbështetja e donatorëve, ministri theksoi se “kjo mbështetje duhet të jetë konkrete në fusha të tilla të rëndësishme si, financimi dhe bashkëfinancimi i projekteve që lidhen me hapjen e minipunishteve apo ndërmarrjeve të rrobaqepësisë, ku mund të punësohen një numër i konsiderueshëm i komunitetit rom, mbështetje e zanatçinjve, nëpërmjet pajisjes se tyre me vegla pune, hapjen e qendrave ditore për komunitetin rom, brenda të cilave të funksionojnë klasa të integruara për të eliminuar analfabetizmin mes radhëve të këtij komuniteti.
10 Dhjetor 2009