Grabisin me armë banesën e shqiptaro-amerikanit, aksidentohen në ikje
ATHINË - Katër grabitës hynë mëngjesin e së mërkurës në banesën e një familjeje shqiptaro-amerikane, në qytetin Rafina, 40 kilometra në verilindje të Athinës dhe pasi kërcënuan të zotët e saj, rrëmbyen nga kasaforta 30 mije euro dhe disa bizhuteri. Fillimisht, grabitësit kërcënuan kryefamiljaren, një shtetase amerikane, 66 vjeçe, dhe pak minuta më vonë lidhen me litar dhe bashkëshortin e saj, 70 vjeç, nga Shqipëria. Më pas, të katër agresoret u larguan me automjetin e tyre në drejtim të qendrës së Athinës, ku edhe do të hapnin kasafortën. Por, teksa ecnin me shpejtësi të madhe, ndonëse nuk ishin diktuar prej policisë, grabitësit humben kontrollin e mjetit në rrethana ende të paqarta. Makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një kolonë pranë ambasadës izraelite. Nga aksidenti mbeti i vdekur në vend drejtuesi i saj, një 31-vjeçar nga Shqipëria. Emri i viktimës nuk është bërë i ditur, ndërsa policia mundi të identifikojë dy prej tre shqiptarëve të tjerë që po udhëtonin me makinë. Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua edhe kasaforta e familjes e cila u gjet në portobagazhin e makinës së aksidentuar. Po ashtu, në automjet u gjenden edhe maskat e grabitësve, një pistoletë, një shkop gome dhe dy thika. Trupi i viktimës u dërgua në morgun e Athinës, ndërsa policia po zhvillon një operacion për arrestimin e tre pjesëtarëve të tjerë të bandës.
10 Dhjetor 2009