E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Ja si mund të shmangen vetëvrasjet nëpër komisariate

Dobjani i rekomandon plan masash drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj

Laureta Rryçi

Avokati i Popullit, i alarmuar nga rastet e vetëvrasjeve nëpër qelitë e komisariateve, ka vendosur të rekomandojë një plan mashash për shmangien e tyre. Burime zyrtare nga ky institucion shpjeguan për gazetën “Albania” se Dobjani ka renditur në një shkresë zyrtare drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, të gjitha detyrat që duhet të kenë parasysh efektivët e policisë. Shkak për këtë shkresë është bërë rasti i fundit i vetëvrasjes së të riut në qelitë e paraburgimit të Durrësit. Avokati i Popullit ka kryer një inspektim në lidhje me këtë rast dhe ndërsa është në pritje të një akti ekspertimi nga morgu, ka evidentuar se vetëvrasja e Bushit ka ardhur si pasojë e neglizhencës së policisë.
Inspektimi
Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar me iniciativë rastin e bërë publik në media për vetëvarjen në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës të Klodian Bushit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje Dobjani ka nisur një grup ekspertësh, të cilët këqyrën ambientin ku ndodhi ngjarja, pyetën punonjësit e policisë që e kishin thirrur atë, punonjësit e policisë që kishin marrë kontakt dhe që kishin dijeni për ngjarjen, bashkëshorten dhe kunatin e tij, si dhe morën e administruan dokumente të ndryshme që lidheshin me këtë ngjarje. Sipas Avokatit të Popullit, nga shqyrtimi i kësaj çështjeje rezultoi se nga informacionet e policisë, shtetasi Klodian Bushi ishte autor i dyshuar i vjedhjes se një banese në qytetin e Durrësit, ku ishin vjedhur disa sende (bizhuteri), disa prej të cilave ishin shitur nga bashkëshortja e tij në një dyqan që tregton sende floriri. Policia ka bërë shoqërimin e Bushit bashkë me bashkëshorten e tij. Pas marrjes në pyetje, Bushi, me urdhër të prokurorit, është shoqëruar në një nga qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, aty ku i riu, pak orë më vonë është gjetur i vetëvarur nga polici që kishte turnin e darkës. Në lidhje me këtë ngjarje, grupi i ekspertëve i dërguar nga Avokati i Popullit ka përpiluar raportin mbi faktet e mbledhura. “Nga ana jonë u konstatua se kërkesat në vendimin e organit të Prokurorisë për ekspertimin e të ndjerit ishin të paplota. Për të arritur në një konkluzion objektiv në përfundim të hetimit që po bëhet nga institucioni ynë, më dt. 17.11.2009 i kërkuam Institutit të Mjekësisë Ligjore që të na informojë lidhur me shkakun e vdekjes së tij dhe faktin se perse nuk jetoi i ndjeri, megjithëse ai u dërgua i gjallë në spital. Pra, të këqyrë edhe dokumentet për të na dhënë informacion nëse humbja e jetës së tij është pasojë e mosdhënies së ndihmës mjekësore në kohë, për shkak të mosdhënies së ndihmës së specializuar nga personeli mjekësor, apo për shkaqe të tjera objektive?”. Kështu shkruhet në shkresën zyrtare që Dobjani i ka nisur drejtorit Burgaj, duke shpjeguar kështu se ende është mister vdekja e të riut në qelitë e paraburgimit. Më tej Dobjani shpjegon se familjarët e të ndjerit kanë pretendime se vetëvarjen i ndjeri e ka bërë për shkak të ushtrimit të dhunës fizike ndaj tij nga punonjësit e policisë, por deri tani nuk janë provuar pretendimet e tyre. Megjithatë, lidhur me këto pretendime të familjarëve, Avokati i Popullit është në pritje të përfundimit të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Shkaqet
Në shkresën zyrtare, Dobjani ka renditur disa shkaqe që sipas tij sollën edhe ngjarjen e rëndë në qelitë e paraburgimit të Durrësit. Një nga këto shkaqe, po sipas Dobjanit, është dhe moszbatimi nga strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Durrës të letër – porosisë së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Nr. 703, dt. 07.08.2008 “Për njohjen e raportit vlerësues paraprak të delegacionit të CTP-së dhe marrjen e masave për plotësimin e rekomandimeve te tij”, të rekomandimeve të vazhdueshme të vetë zyrës së Avokatit të Popullit lidhur me ndërtimin e dhomave të shoqërimit me standardet ligjore, si dhe për heqjen nga përdorimi dhe funksioni i atyre dhomave që nuk plotësojnë kriteret dhe kushtet domosdoshme. Sipas Dobjanit, dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Durrës janë jashtë çdo standardi të kërkuar. Në këtë komisariat nuk ka tri dhoma shoqërimi, sikurse parashikon ligji, por ka vetëm dy dhoma shoqërimi, një korridor dhe një banjë, të cilat janë në një ambient të përbashkët dhe pa dyer ndarëse nga njëra-tjetra. Derë nuk ka as banja dhe si pasojë e kësaj mangësie, kur ka dy ose më shumë persona të futur aty, ata janë të detyruar që të kryejnë nevojat personale në prezencë të njëri-tjetrit. Dhomat mbyllen nga një derë e jashtme prej hekuri, e cila është e pajisur me shul e dry. Ato nuk kanë përmasat e duhura, nuk kanë ajrim, janë pa ndriçim natyral dhe akoma më keq, janë edhe pa ndriçim elektrik (errësirë e plotë gjatë natës), janë të papajisur me stola apo karrige për të qëndruar ulur të shoqëruarit. Një tjetër shkak për këto ngjarje mendohet se është dhe paaftësia dhe papërgjegjshmëria e drejtuesve të Komisariatit të Policisë Durrës, të cilët kanë përgatitur dhe miratuar plan-vendosjen e shërbimeve të policisë së rendit, si dhe detyrat e shumta dhe koha e gjatë e shërbimit të punonjësit të policisë që ka për detyrë mbikëqyrjen e të shoqëruarve.

Rekomandimi i Dobjanit:

1. Analizimin e ngjarjes së vetëvarjes së shtetasit Klodian Bushi në ambientet e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Durrës dhe nxjerrjen e përgjegjësive administrative të drejtuesve të Komisariatit të Policisë Durrës, Genc Peka, me detyrë shef i Seksionit të Policisë së Rendit dhe Gjelosh Prendi, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Durrës.

2. Rasti i vetëvarjes së shtetasit Klodian Bushi dhe shkeljet e drejtuesve të Komisariatit të Policisë Durrës të përgjithësohen në të gjitha organet e policive vendore me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit policor dhe parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

3. Rishikimin dhe përmirësimin e “plan-vendosjes së shërbimeve të policisë së rendit” në Komisariatin e Policisë Durrës dhe në të gjitha organet vendore të policisë në shkallë vendi, si dhe plotësimin e tyre me numrin e punonjësve të policisë të domosdoshëm për të kryer sa më mirë dhe me cilësi të lartë detyrat funksionale.

4. Marrjen e masave të menjëhershme për ndërtimin e dhomave të shoqërimit të shtetasve në Komisariatin e Policisë Durrës duke krijuar ambiente të përshtatshme.

5. Të merren masa të menjëhershme për ndërtimin apo rikonstruksionin me parametra dhe standarde bashkëkohore të dhomave të shoqërimit të shtetasve në të gjitha komisariatet e policisë në shkallë vendi, ku ato mungojnë.

6. Nga strukturat drejtuese të organeve vendore të policisë të punohet me të gjithë efektivat për njohjen e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe zbatimin me rigorozitet të kritereve ligjore lidhur me rastet e shoqërimit të shtetasve në organet e policisë, si dhe për trajtimin dinjitoz të tyre. Ndërkohë nga strukturat drejtuese e kontrolluese vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit të ushtrohet kontroll i vazhdueshëm ndaj vartësve lidhur me shoqërimin e shtetasve në organet e policisë.

9. Të krijohet dhe unifikohet libri i takimeve të shtetasve me punonjësit e policisë në organet e policisë, duke pasqyruar të gjitha të dhënat e nevojshme, për gjeneralitetet e tyre, punonjësin e policisë që takon, qëllimin e takimit, orën e hyrjes dhe atë të daljes, si dhe të dhëna të tjera të cilat do t’i vlerësoni të domosdoshme.

10. Të rritet niveli kulturor e profesional dhe përgjegjësia e punonjësve të policisë që administrojnë librat dhe regjistrat e organit të policisë.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›