Transporti publik, Shoqata: Qeveria ti kalojë si kompetencë pushtetit vendor
Emanuela Sako
Rihapet çështja e transportit publik në Tiranë, ku Shoqata e Transportit Publik ka renditur një sërë kërkesash ndaj qeverisë.
Shoqata e Transportit Publik ndërqytetës i kërkon qeverisë ta kalojë këtë shërbim në varësi të pushtetit vendor pasi vetëm kështu mund të rritet cilësia e tij. Presidenti i shoqatës së transportit qytetar, Hazbi Parllaku, ka paraqitur disa kërkesa para qeverisë të cilat do të ndryshonin situatën aktuale të transportit publik sidomos në Tiranë. “Ndihet nevoja e krijimit të një sistemi të transportit publik, të integruar dhe të unifikuar duke harmonizuar lëvizjet qytetëse ndërqytetëse dhe rrethqytetëse. Në kuadër të decentralizimit të pushtetit, kërkojmë kalimin e kompetencave për caktimin e çmimeve të biletave dhe aboneve pranë Këshillave Bashkiakë të pushtetit vendor”, - u shpreh Parllaku.
Kërkesat
Sipas tij, një tjetër masë që duhet të marrë shteti për të ndryshuar situatën e udhëtimit me urbanë në Tiranë është ulja ose heqja e TVSH-së në dogana për mjetet e transportit qytetas, heqja e akcizës së naftës për mjetet e transportit qytetas, subvencionim të biletave dhe aboneve si dhe krijimi i korsive të veçanta, “bus lines” e cila sjell rritjen e shpejtësisë, produktivitetit dhe për pasojë dhe rritjen e cilësisë për qytetarët. Shoqata theksoi se nevojë imediate është lehtësimi i operatorëve nga roli i tyre social. Ata sot operojnë me tarifa mjaft të ulëta për kategori të ndryshme pasagjerësh si dhe falas për kategori të tjera, politikat sociale sipas shoqatës duhet të krijohen dhe zbatohen nga qeveria dhe bashkia.
Bileta
Aktualisht me presionin e shoqatës së transportit publik bileta e linjave publike të urbanëve u rrit me 30 lekë. Por shoqata thotë se nuk ka përfituar asnjë subvencion nga shteti për kategoritë që e përfitojnë atë falas. Tashmë bileta e çdo autobusi urban brenda qytetit kushton 30 lekë, nga 20 lekë që ishte disa muaj më parë. Por rritja e çmimit të biletës u shoqërua edhe me një rritje të ndjeshme të çmimit të aboneve mujore. Kështu, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, abonetë e përgjithshme kanë nisur të shiten me 1200 lekë, më parë kostoja e tyre ishte 800 lekë, duke u shtuar edhe me 400 lekë të tjerë, ose 50 për qind. Por kabineti qeveritar, pak muaj më parë, nuk la pa ndryshuar edhe çmimin e aboneve të studentëve, të cilat nga 400 lekë që ishin u bënë 600 lekë. Rritje pësuan edhe abonentë, të cilat përdoren vetëm për një linjë, të cilat nga 600 lekë tashmë shiten me 900 lekë.
10 Dhjetor 2009