E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Mediu paralajmëroi rrezikun: ”Kemi 100 mijë tonë municion tepër”

Vetëm një ditë përpara tragjedisë së rëndë të ndodhur dje, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paralajmëroi rrezikun që u kanosej shtetasve shqiptarë, duke thënë se në Shqipëri ekzistonin 100 mijë tonë municione tepër. Në një intervistë të dhënë në emisionin “Përballë” në TVSH, Mediu deklaroi: “Nga një analizë që ne kemi bërë me përfaqësues amerikanë, por edhe nga një vëzhgim që ka bërë Komisioni i Sigurisë, përsa i përket situatës së municionit, të armatimit në Shqipëri, ajo nuk është e këndshme apo e kënaqshme. Për faktin sepse janë rreth 100 mijë tonë municion tepër, të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe forcat e armatosura nuk janë të organizuara në konceptin territorial për të garantuar sistemimin, mirëmbajtjen, ruajtjen e sigurinë e tyre. Për ne është një problem shumë i madh, sepse ne tendencën tonë për të arritur një forcë profesioniste mbi 50% e ushtarëve që janë me shërbim të detyruar i përdorim për të ruajtur këto depo armatim-municioni. Por është një rrezik shumë i madh dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse shumë qytetarë për fatin e keq kanë ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tunele të depove të municioneve. Ne kemi pasur dhe kemi projekte në mënyrë të vazhdueshme me Departamentin e Shtetit, të Departamentit të Mbrojtjes, kemi pasur asistencë nga Norvegjia, nga Kanadaja. Janë investuar miliona dollarë për shkatërrimin e armëve të lehta dhe municioneve. Besoj se akoma kemi nevojë që të kemi një plan kombëtar për asgjësimin e armëve dhe municioneve”. I pyetur nëse kanë ndërhyrë për të mos legalizuar shtëpitë që ndodheshin afër zonave të armatimit, Mediu do të deklaronte: “Ka shumë zona që janë në një rrezik të tillë dhe dua ta sjell realisht si një shqetësim të madh. Unë nuk mendoj se çështja është a duhen legalizuar apo jo. Çështja është se ç’plan kombëtar duhet të ketë dhe nuk është vetëm një problem i Ministrisë së Mbrojtjes, por është një problem shtetëror që duhet zgjidhur në mënyrë urgjente. Me 100 mijë tonë municion, me një kosto rreth 50 milionë euro për shkatërrimin e këtij municioni. Por njëkohësisht të mos harrojmë edhe transportimin dhe zonat ku ato ndodhen, pra janë një seri problemesh. Ne para një jave në Shtabin e Përgjithshëm, me asistencën e amerikanëve kemi diskutuar rreth kësaj çështjeje”.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›