E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifrat, pse bankat po mbajnë “peng” depozitat e qytetarëve

 Rrethi vicioz ku po futet ekonomia shqiptare, sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, po krijohet nga mungesa e besimit të bankave. Shifrat e publikuara së fundmi, tregojnë qartë se besimi i qytetarëve dhe bizneseve në bankat e nivelit të dytë, po rikthehet me ritme të shpejta, ndërsa e kundërta po ndodh me besimin e bankave në politikën e kredive për konsumatorët. E thënë pastër, paratë që bankat po marrin nga qytetarët, nuk po i kthejnë sërish në ekonomi. Shifrat e fundit, të krahasuara me një vit më parë tregojnë qartë, se të gjitha llojet e depozitave që ofron shërbimi bankar në Shqipëri, kanë pësuar rritje. Qytetarët besojnë te bankat dhe kanë dërguar paratë e tyre në formë depozitash, mbi 50 për qind më shumë se një vit më parë. Shifrat e depozitave 12 mujore, ato më të preferuarat dhe me afat që tregon realisht kthimin e besimit, janë gati dyfishuar në krahasim me nëntorin e kaluar. Por e kundërta ka ndodhur me kreditë. Statistikat flasin se në të kundërt,janë kreditë afatgjata, ato që shërbejnë për investime nga biznesi dhe konsumatorët janë ulur në krahasim me nëntorin e vjetshëm. Dhe ulja është drastike. Ajo shkon deri në 31 për qind për monedhën euro dhe 54% për lekun. Pra bankat kanë dhënë 1/3 e kredisë së një viti më parë në euro dhe gjysmën në lekë. Por ky nuk është problemi më i madh. Këto shifra, të mungesës së kreditimit janë të lidhura me kushtet e frikshme që aplikojnë bankat për kredi. Ndryshe nga politika monetare e bankës qendrore evropiane që e ka ulur normën bazë të interesit deri në 1.25 për qind, në Shqipëri bankat e kanë rritur normën e interesit të kredisë. Po aplikojnë vlerësime tepër të ulëta koleterali dhe kanë rishikuar politikat e tyre të financimit. Kuptohet, që në momente jo të mira financiare, bankat i shtrëngojnë politikat e tyre. Por ky shtrëngim, në kohën kur besimi te bankat është shtuar ndjeshëm, duket si një luftë, për të maksimizuar fitimet edhe në kohë krize. Një politike të tillë bankare, që për hir të së vërtetës, po aplikohet, jo në këto nivele, edhe në ekonomitë më të mëdha të globit, ju përgjigj me fjalimin e tij presidenti Obama. "Nuk duhet kurrë të lejojmë bankat që t'i shmangen më shumë se ç'duhet misionit të tyre fillestar: shërbimit të konsumatorit. Përpjekja ime për të reformuar sistemin, veçse forcohet dhe bëhet më e vendosur kur shoh se, ato banka që kanë arritur fitime të mëdha, thonë se nuk mund t'i japin më hua biznesit të vogël, nuk mund të mbajnë përqindjet e ulëta për kartat e kreditit dhe nuk mund t'ua kthejnë taksapaguesve paratë që u shpëtuan kokën. Nëse këta njerëz të bankave kërkojnë luftë, atëherë luftë do të kenë." Në fakt Obama, kur i referohet parave të taksapaguesve, e ka fjalën për paratë që u përdorën për të shmangur bankat nga falimenti. Por e njëjta gjë ka ndodhur në Shqipëri, edhe pse indirekt. Qytetarët po i besojnë bankave dhe po i ruajnë depozitat e tyre në banka. Ky është një besim që nuk po i kthehet nga bankat në formën e kredisë. Mos kreditim, do të thotë ngecje e ekonomisë, mos investim, mos hapje vendesh të reja pune. Deri tani, Kryeministri, Ministri i Financave dhe Guvernatori, vetëm kanë bërë thirrje për lehtësimin e kushteve të kreditimit. Thirrje këto, që sipas shifrave, nuk janë dëgjuar nga bankat. Ndoshta, ka ardhur koha që edhe në Shqipëri, Qeveria dhe Banka Kombëtare të gjejnë një mënyrë për t'ju përgjigjur, "luftës" së bankave për të ruajtur fitimet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›