E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në QSUT vetëm për pacientët që e kanë të pamundur shërbimin në rrethe

 Pacientë që dynden nga rrethet edhe për problemin më të vogël shëndetësor. Thuajse të gjithë peshën e operacioneve e mban mbi supe pikërisht QSU-të. Fluksi i urgjencave sakaq është tepër i lartë. Kjo në kohën kur pavarësisht mungesave të mjekëve në zonat rurale, spitalet e mëdha rajonale në rrethe kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të kryer të paktën gamën e operacioneve "të thjeshta". Ndoshta për efekt mentaliteti por edhe cilësie të shërbimit ,janë vetë pacientët që duan me çdo kusht të trajtohen në Tiranë. Nga sa bën me dije drejtoria e këtij spitali QSU duhet të lehtësohet domosdoshmërisht nga ngarkesa e tepër që vjen nga rrethet. "Urgjencat por edhe pavijonet  i kemi të mbipopulluara, pritet numri më i lartë i emergjencave nga Tirana dhe nga rrethet. Ne kemi nxjerrë një urdhër të ri sipas së cilit patjetër që do të pranohen rastet urgjente, por ndërkaq duhet zbatuar sistemi i referimit sidomos për ato trajtime të cilat mund të kryhen edhe në rrethe", ka deklaruar drejtori i QSU-së Ilir Dashi. Sipas tij ndryshime priten të bëhen edhe në rregulloren e brendshme të spitalit. Ndërkaq vetëm dy ditë më parë  u është kërkuar shefave të shërbimeve të QSU-së, që të hartojnë protokollet e mjekimit, në bazë të të cilave do të përllogaritet kostoja e kurimit të çdo pacienti. Për këtë u kërkua, ndihma e stafit mjekësor e administrativ të QSUT-së dhe stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë. Krahas hartimit të protokolleve të reja të mjekimit, u diskutua edhe përllogaritja e kostos së shtratit të një pacienti, me qëllim që kur të implemtohet tërësisht skema e ISKSH për pagesat në spitale, nga pacientët e pasiguruar të paguhet edhe ai.  "Në cilësinë e ndryshimeve cilësore që kemi projektuar del në plan të parë, aplikimi i protokolleve në QSUT. Ky do të jetë një veprim, i shpejtë që do të shënojë fillesën e një procesi kaq të domosdoshëm për afrimin e praktikave tona, drejt standardeve në Evropë, pavarësisht se është një veprim shumë planesh", u shpreh drejtori i spitalit Ilir Dashi . Deri më sot në spitalet e vendit tonë nuk ka një kosto të saktë të diagnostikimit të sëmundjeve, ndërhyrjeve kirurgjikale, apo mjekimit të patologjive të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›