PD- PS përplasen për centralin
PD dhe PS u përplasën dje sërish publikisht për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp, deputeti i opozitës, Sajmir Tahiri tha se qeveria miratoi këtë vendim për të shmangur vëmendjen nga kriza politike në vend. "Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin", tha Tahiri. Por si kundërpërgjigje, selia blu e quajti opozitën anti globaliste. "Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e tjerë të nomenklaturës së vjetër, sot shfaqën para publikut dimensionin e tyre anti global. Fytyrën e sotme reale të marksizëm - leninizmit. Ata u ngritën kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e integrimit të saj euro-atlantik", tha zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.