Komunizmi triumfoi sërish
Prej ditësh në Shqipëri është hapur një debat në lidhje me ligjin e hapjes së dosjeve në Shqipëri. Në fakt, ky debat duhej hapur prej vitesh, dhe ende s’e di se përse e djathta ndërmerr nisma të tilla pikërisht kur është në fund të mandatit. Po ç’rëndësi ka, më në fund pas afro dy dekadash të rënies së komunizmit dhe shqiptarët u “bënë mbarë” që t’i dënojmë ato krime. Megjithëse duhet të ishim të parët dhe më të ashprit në këtë drejtim, pasi diktatura këtu ishte e pakrahasueshme në formën dhe në aplikimin e saj në krahasim me vend e tjera të Lindjes. Por pyetja që shtrohet nuk ka të bëjë me faktin se kur i dënojmë, por a po i dënojmë ne vërtet këto krime? Sa të ndershëm jemi apo dhe kemi qenë në tërë këto vite në lidhje me këtë çështje? Politika e këtij vendi a është vërtet e gatshme të shkëputet prej asaj të shkuare, e cila na përndjek dhe sot? A është gati klasa e këtij vendi që harton ligjet dhe i zbaton ato të dënojë atë të shkuar që mori aq jetë njerëzish? Shqipëria ishte një burg i madh, e cila brenda saj kishte dhe burgje të tjerë, më të vegjël në formë, por më të egër dhe çnjerëzorë në përmbajtje. Dhe gardiani i këtij sistemi të madh burgu ishte komunizmi, ajo ideologji e mbrujtur dhe mbajtur në këmbë për afro 50 vjet nga fije të dukshme dhe të padukshme. Individë të stërvitur në shkollat e krimit, siç ishte Sigurimi i Shtetit apo të rekrutuar në bazë të devotshmërisë të tyre, të gjithë të doktrinuar, që karrierën e tyre e ngrinin mbi vuajtje, vrasje, dhe privim lirie të shqiptarëve, pikërisht ata që sot kërkojmë t’i dënojmë me anë të një ligji. Pas afro 20 vjetësh.... Më kujtohet një ish-fqinji im, prokuror i kohës së diktaturës, që mburrej se sa shumë kishte vrarë ai me duart e tij... vdiq nga pleqëria. Pashë një ditë Aranit Çelën, krye-persekutorin e komunizmit, i cili akoma ka të drejtën t’i ngërdheshet në fytyrë ish-të persekutuarve, dënimi i tij s’ka më asnjë vlerë. Në këto vite kam parë Ramiz Alinë, i cili kishte moralin të qeshte sikur s’ka ndodhur asgjë, dhe madje thirret dhe në disa stacione televizive, ku i jepet mundësia e shpjegimit dhe ftohet nga presidenti në darkat presidenciale si ish-president. Pashë para do kohe Nexhmije Hoxhën, tek emisioni i Rudina Xhungës, dhe nuk m’u duk aspak e penduar për atë çka u ka bërë shqiptarëve, ajo bashkëpunëtorja më e afërt e diktatorit. E shumë e shumë të tjerë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, gardianë e xhelatë, të cilën mbanin në këmbë atë makineri vrasëse. Të gjithë këta nuk u dënuan, e shumta u futën në disa dhoma konvaleshence, krahasuar me burgjet që kishin ngritur ata në mesin e viteve ‘90, dhe dolën që andej më të shëndetshëm se sa hynë. Ata sot presin të qetë fundin e jetës, në shtëpitë e tyre komode, në shtratin e tyre të ngrohtë, pa u bezdisur nga askush, pa pasur frikë se mund të ndëshkohen për krimet.... Pra, ia dolën të fitonin sërish. Mazhoranca aktuale u kujtua se duhet të dënojë krimet e komunizmit, në një kohë kur nga ai sistem kanë mbetur disa mbeturina, që sot i prishin punë vetëm qeverisjes aktuale, se në të vërtetë koha i ka spastruar vetë persekutorët e vërtetë. Detyrimin që kishte e djathta në këto vite nuk e ka përmbushur, të paktën në dy drejtime, ku komunizmi goditi më fort. Te shtresa e të persekutuarve dhe ajo e ish-pronarëve. Të persekutuarit sot, për ironi të fatit, po vdesin çdo ditë një e nga një në kotecet që dikur shërbenin si konvikte për kuadrot e partisë, ndërsa persekutorët e tyre po vdesin mbi dafina. Ish-pronarët po vdesin me letra nëpër duar, ku vërtetohet prona që iu është rrëmbyer ndërsa ish-persekutorët dhe bijtë e tyre gëzojnë ato që i rrëmbyen kësaj klase gjashtëdhjetë vjet më parë dhe që nuk ia kthyen kurrë. Por detyrimi nuk është përmbushur dhe në një aspekt tjetër. Në kabinetin qeveritar të zotit Berisha, por edhe në grupin parlamentar të PD, klasa e ish-të përndjekurve politikë është tejet e pandjeshme. Në zgjedhjet e 2005, kjo klasë u harrua, megjithëse përbën ndoshta 20% apo më shumë të votave që merr PD në çdo zgjedhje. Kryeministri preferoi të fuste në kabinetin qeveritar njerëz që s’kanë asnjë lloj lidhjeje me historinë e themelimit të kësaj partie apo dhe të importuar nga forcat e majta për të sajuar një kabinet se sa të merrte parasysh ndonjë kandidaturë nga kjo shtresë shoqërore, e cila të kishte përfaqësuesin e saj atje. Ne sot duam të miratojmë një ligj, pasi u kujtuam që në sistemin tonë të drejtësisë, qenkan nja 15 apo 20 prokurorë e gjykatës, të cilët na paskëshin marrë pjesë në procese politike. Me largimin e tyre nga detyra i lamë gjë duart me krimet e së kaluarës? Ishte e dhimbshme, kur shihje kryeministrin, teksa i thurte lavde Skënder Gjinushit, apo Gramoz Ruçit si zyrtarë të ndershëm të ish-diktaturës. Njëri ish-ministër i Arsimit dhe tjetri ish-ministër i Brendshëm dhe Sekretar i Parë në qeverinë e Ramiz Alisë, ndërsa nga anëtarët e kabinetit të tij, ish-të përndjekurit shihen si “të bezdisur”. Është e dhimbshme, kur kërkohet që me anë të gjakut, vuajtjes dhe dhimbjes të qindra e mijëra njerëzve kërkohet hakmarrje politike, se të rrezikohet pushteti. Ata prokurorë apo gjykatës që janë atje janë e keqja më e vogël. Ata ishin thjesht shërbëtorë, por urdhëruesit janë akoma gjallë, madje janë edhe në politikë. Më e mira që mund të bëjë kjo mazhorancë, është të rikuperojë sa të mundet materialisht ata që e pësuan nga ai regjim. Pra, të paguajë çdo kosto që ish-të përndjekurit të marrin dëmshpërblimin, është një borxh që kjo shoqëri dhe ky vend i ka atyre. Të vërë sadopak në vend drejtësinë që është bërë me pronat në këtë vend. Sa për betejën kundër komunizmit, “e djathta” në pushtet tregoi se ka hequr dorë prej saj.