E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, mjekët dalin nga greva

 

zirina llambro

Ka zgjatur vetëm një ditë greva e mjekëve të spitaleve. Më saktë, deklaratat e flakta të paradites për statusin e mjekut dhe rivendosjen e emrit të mirë të bluzave të bardha, janë shumuar pas takimit të përfaqësisë së mjekëve me zv/kryeministrin Pollo dhe Ministren Gode. Dje pasdite, një njoftim i dalë nga zyra e Pollos, theksonte se pas takimit me mjekët, këta të fundit kishin vendosur që nga sot të fillojnë sërish punën. Por, vetëm pak orë më parë, të gjitha operacionet në spitale ishin ndërprerë, përjashto ato të urgjencës.
Paraditja
"Ka ardhur koha që politikëbërësit shqiptarë të përgatisin bazën  ligjore për një status të veçantë të mjekëve", kjo ishte deklarata e drejtoreshës Kuli në konferencën e djeshme paradite. Gjatë gjithë ditës së djeshme në spitale nuk kishte mjekë në shërbim, vetëm ata të urgjencave. Dje nuk u bë asnjë operacion, duke i dhënë, të paktën paradite një frymë të fortë kërkesave të mjekëve. Bluzat e bardha bojkotuan punën e tyre në shenjë proteste. Reagimi erdhi pas plagosjes së kolegut të tyre endokrinolog Agron Ylli. Protesta nuk u organizua në oborrin e QSUT-së, si zakonisht, por pranë dhomës së reanimacionit në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet aktualisht mjeku Ylli. Figurat më të njohura të shëndetësisë shqiptare kanë bërë apel për mbrojtjen e figurës së mjekut. "Ne mbështesim mjekët në kërkesat e tyre dhe kërkojmë, që të merren urgjentisht masa, që ato të plotësohen", tha Kuli. Sipas Sindikatës së Mjekëve dhe Infermierëve, e cila mbështet protestën vendimi për të rifilluar punën do të merret vetëm, pasi të jenë plotësuar kërkesat e tyre.
Pasdite
Por duket se kërkesat e mjekëve u përmbushën brenda një takimi me Pollon dhe Godon. Dje pasdite, zyra e zv/kryeministrit njoftoi se pas takimit me një përfaqësi nga Këshilli i zgjeruar i Profesoratit të QSUT "Nene Tereza" (Prof Pjerin Radovani, Prof Jovan Basha, Prof O. Glozheni, Prof A. Priftani, Prof E. Vevecka) në prani të Ministres Godo dhe drejtoreshës Kuli, lidhur me protestën të personelit të QSUT, mjekët u angazhuan për normalizimin e menjëhershëm të punës në QSUT. Sipas njoftimit, "Pollo shprehu gatishmërinë e qeverisë për të zgjidhur në rrugë ligjore kërkesat si dhe theksoi nevojën e promovimit të mjekëve që kryejnë detyrën me integritet në frymën e betimit të Hipokratit si dhe prezantoi reformat në sektorin e shëndetësisë të cilat do të stimulojnë shpërblimin e merituar dhe do të pakësojnë abuzimin". Kaq ka mjaftuar që mjekët të dalin nga greva dhe të rifillojnë sa më shpejt punën.

Rritje pagash për 700 mjekë të spitalit të Durrësit

Spitali i Durrësit, i cili është aktualisht i vetmi spital i përfshirë në skemën e Sigurimeve Shëndetësore ka përfituar një rritje të ndjeshme page në këtë fundviti. "Me propozim të Bordit Drejtues të Spitalit Durrës, Këshilli Administrativ i (ISKSH) miratoi rritjen e pagave për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës në këtë spital", sqaroi zyra për shtyp e ISKSH. Janë rreth 701 punonjës, që përfitojnë shtesën mesatarisht në masën 15.5%. "Mendoj se kjo shtesë në pagë do të motivojë më tepër stafin e spitalit të Durrësit, ku aktualisht funksionon skema e Sigurimeve Shëndetësore. Kjo do të jetë një nxitje gjithashtu, edhe për spitalet e tjera, të cilët duke filluar nga 1 janari 2009 do të përfshihen në skemën e Sigurimeve Shëndetësore, pasi pagat për mjekët do të jenë në rritje të vazhdueshme", u shpreh drejtoresha e ISKSH Elvana Hana. Ajo shtoi se nga ana tjetër, ISKSH së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të monitorojnë punën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Ndërsa, kryetarja e Këshillit Administrativ të ISKSH-së, njëherësh ministre e Shëndetësisë, Anila Godo u shpreh se e mbështet këtë vendim edhe për faktin se është brenda buxhetit të parashikuar për vitin 2008. Nga ky vendim përfitojnë rritje page, 158 punonjës me arsim të lartë, me një rritje prej rreth 18.7%,326 punonjës të infermieristikës, me një rritje page prej rreth 16.78% dhe 217 vetë personel joshëndetësor, me një rritje page prej rreth 10%. Eshtë parashikuar gjithashtu, edhe pagesa e studimeve të thelluara pasuniversitare për 23 punonjës të këtij spitali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›