E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, merr 20 mijë lekë kush rrit një buall

 

Dhjetë mijë lekë në vit për një buallicë dhe 20 mijë lekë për një buall. Është kjo mbështetja financiare, që qeveria do t'i bëjë  fermerëve. Gjithçka me qëllim ruajtjen e rezervës gjenetike të racës autoktone të buajve në vendin tonë. Sipas vendimit të djeshëm, veç pagesës për ruajtjen e buajve, fermerët do të marrin edhe dhjetë mijë lekë të tjera për çdo pjellje që do të shtojë racën. "Pagesa për ruajtjen e buallicës dhe buallit do të jepet në fund të 6-mujorit të parë të vitit kalendarik", thuhet në vendim. Gjithashtu në të parashikohet ngritja, pranë Ministrisë së Bujqësisë, e një komisioni vlerësimi të mbarështimit dhe ruajtjes së rezervës gjenetike të buajve. "Drejtoritë rajonale të bujqësisë, në bazë të aktit të vlerësimit, të lëshuar nga Komisioni i Vlerësimit, t'i paguajnë fermerët, që mbarështojnë buaj", saktëson qeveria. Sipas vendimit të saj, pagesa përfitohet vetëm në rastet kur fermeri paraqet dokumentet e kërkuara. Ato janë Kartela, Certifikata veterinare dhe pasaporta e kafshës. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›