Zgjidhja për krizën ekonomike: një ekonomi në krizë të përhershme
Po të dëgjosh Fullanin kur ligjëron para Sokol Ballës të krijohet përshtypja se po dëgjon ato intervistat e tre dekadave me parë kur e gjithë bota kapitaliste ecte në një rrugë të gabuar ndërsa ne si fanar drite ecnim në një drejtim tjetër, ku bota duhej të hidhte sytë. Kështu dëgjuam se valën e parë të goditjes financiare jo vetëm e paskemi kaluar me sukses (në ndryshim nga ekonomitë “e dobëta„ të Sh.B.A dhe Evropës), por ne, qysh prej dy-tre vjetësh paskemi ecur me një program te mirëdefinuar (pra jo si ca e ca), dhe tani ky program na çon në luftën për përballimin e efekteve të krizës që me siguri do t’i përballojmë me sukses sepse kemi marrë masat tona. Dhe në shpjegim të këtyre masave Fullani përgjigjet se në ndryshim nga ekonomistët e Sh.B.A, BE, Japonisë, por edhe të fqinjëve që ulin koston e monedhës dhe rrezikohen nga inflacioni (kanë arritur dyfishin tonë), ne ekonomistët e Shqipërisë paskemi zgjedhur një rrugë më të suksesshme (për t’u mbrojtur nga të dyja anët e rrezikut inflacionist, kërkesës dhe ofertës), ne paskemi vendosur që të ndjekim pikërisht rrugën e kundërt dhe brenda një viti e gjysmë e paskemi rritur pesë herë vlerën e lekut!
Por si na qenka atëherë realiteti ynë?
Që të japësh këtë përgjigje duhet më parë ta krahasosh realitetin tonë me atë perëndimor dhe realitetin e tyre të tanishëm të krizës me atë të parakrizës sepse kështu mund të deduktohen arsyet e krizës.
Nuk ka shoqëri apo kompani ne Perëndim që të mos e festojë si ditën më të shënuar të historisë së saj ditën kur ajo kuotohet në Bursë. Me futjen në Bursë një kompani hyn në një sistem të ri ekonomik, në një rend të ri, i cili në fakt shënon kalimin nga kapitalizmi primitiv, tradicional në atë të ri, modern të ngritur mbi koncepte të reja aksioniste. Teorikisht, çdokush që mund të përballojë shpenzimet administrative të Bursës mund të hyjë në Bursë, por praktikisht, askush, asnjë kompani nuk mund të aktivizohet me sukses në të pa realizuar më parë një marketing mundësisht ndërkombëtar, pa realizuar më parë një historik të saj pozitiv e të qendrueshëm etj, etj, pra, e thënë me dy fjalë, pa fituar një emër shumë të mirë në treg.
Vetëm në këtë rast, administratori i kompanisë vendos ta kuotojë ndermarrjen e tij (ta ndajë në mijëra aksione p.sh.edhe 10 eurëshe ) dhe ti cojë ato në bursë për t’i shitur. Nga ky moment, mijëra kursimtarë (edhe nxënës shkollash) mund të blejnë aksionet e kesaj kompanie, pra të kthehen në investitorë të saj. N.q. se kompania ka vërtet një emër të mirë ajo do të gjejë shpejt investitorë dhe në një shitje prej 100 mijë aksionesh 10 euroshe do të inkasonte një milion euro. Një kompani me emër të mirë i investon këto lekë duke rritur vlerën e kompanisë dhe të aksioneve të saj. Kështu- në një bilanc pozitiv - gjithkush mund të shesë aksionet e tij dhe të sigurojë një fitim 10-15 euro për çdo 100 euro investim edhe në shumë më pak se një vit. Në këtë rast gjithkush do të rendte të fuste lekë në Bursa dhe fuqia investuese e çdo vendi do të rritej dy apo tri herë. Me futjen e këtij sistemi Italia e më vonë Greqia njohën boomet e tyre ekonomike: dhe vetëm kur dhe ne të hyjmë në këtë sistem do shpëtojmë nga ky tranzicion pa fund. Personalisht mendoj se sot ne jemi një nga popujt që mbajmë më shumë lekë “parazit”. Sot në Evropë nuk ka më hajdut xhepash sepse askush nuk mban më lek ne xhep, qoftë edhe për të bërë shopping në supermarket. Paraja gati është zhdukur nga qarkullimi dhe në vend të tij kemi vetëm çeqe, kambiale, karta krediti etj me të cilat mund të hash edhe në restorante; me para në dorë sot pihet vetëm kafe. Në bankë, edhe rroga mujore mund të “prodhojë’ fitim, ndërsa në shtëpi rrezikon të dëmtohet. Ky është raporti me paranë për një qytetar perëndimor sot (në fakt grekët janë më të fantaksurit, shumë prej tyre luajnë gjithë ditën me Bursën sikur të jenë para lojrave te fatit), koncept nga i cili ne jemi ende shumë larg.
Por ç’ndodh në krahun tjetër - në atë më kryesorin- me kompanitë? Kompania X, e cila inkasoi një million euro, së pari do të punojë e qetë, larg presionit bankar të pagimit të këstit apo sekuestrimit dhe së dyti edhe në rast mosfitimi s’ka ligj juridik që e dënon, por ka një ligj ekonomik; ajo automatikisht do të jetë jashtë burse sepse shitjet e saj do të ishin vetëm me humbje e mbi të gjitha askush nuk do blinte më nga kjo kompani. Vvetë kompania, së pari, ka interes të rrisë vlerën e aksioneve të saj për të siguruar jetëgjatësi në Bursë sepse vetëm kështu aksionet e tjera ajo do t’i shesë me më tepër fitim, do inkasojnë më shumë, do investojnë më shumë, do rritet më shumë, do rishesë më shumë me më shumë fitim e kështu me radhë. Normalisht, në Bursë, problemi nuk shtrohet që një X kompani të bëjë shitje fiktive, të inkasojë një shumë sa më të madhe e t’ja mbathë për kushedi se ku (as kjo nuk përjashtohet), por rreziku më i madh qëndron në faktin se të gjitha kompanitë do të ndihen në garë për të deklaruar rritje fiktive të vlerës së kompanive të tyre duke i kthyer ato në tullumbace të fryra që mund të pëlcasin nga momenti në moment. Dhe tulumbace të tilla kanë plasur e do të plasin përditë në neokapitalizëm (të tilla ishin kompanitë miliardere italiane Cirio, Parmalat, Alitalia, etj), problemi është që të mos kemi një shpërthim të një grupi me peshë tullumbacesh apo të një supertullumbaceje sic ishte Lemon Brothers; këto goditje sjellin krizë në ekonomi sepse ato vetë janë një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë. Kjo ndodhi para 7-8 vitesh ne Argjentinë, po ndodh sot në Sh.B.A, rrezikon shumë të ndodhë në Rusi, pak më pak në Lindjen e Largët, në Evropë etj, pavarësisht deklarimeve respektive që jo gjithmonë përputhen me gjendjen në terren. Natyrisht në kushtet e globalizimit, tashmë ekonomitë janë shumë të lidhura ndaj dhe efektet s’kanë si të jenë të veçuara.
Pavarësisht nga efektet negative të këtyre krizave, parë me gjakftohtësi, duhet te kuptojmë se këto shpërthime tullumbacesh bëhen të domosdoshme dhe janë një lloj rregullatori që ndihmon në normalizimin e raporteve ekonomike në degë të vecanta të cilat kishin tejkaluar raportin real.
Por a është kaq e thjeshtë (dhe lehtësisht e kalueshme) kriza që po kap Botën sot? Natyrisht që jo, në rastin konkret problemet janë shumë më të mëdha.
Së pari ato kanë të bëjnë me daljen e Euros në qarkullim. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore dollari u gjet nën konkurrencën e një monedhe tjetër po aq të fuqishme e cila çoi në rindarjen e zonave të influencës ekonomike. Euro, – përveç Evropës Lindore që mori gati automatikisht – ka hyrë seriozisht në Azinë Perëndimore e Qendrore, në Afrikën Qendrore e Veriore, dhe aktualisht po lufton të hyjë si monedhë referuese në Azinë Lindore, në boshtin e madh ekonomik Japoni-Kore e Jugut-Kinë-Tajvan –Indonezi. Amerika e Jugut është ende zonë e influencës së dollarit. Këto avancime jo të vogla mbi tregun e ekonomisë botërore kanë sjellë, natyrisht, pasoja të mëdha në zhvlerësimin e dollarit dhe kjo ishte një goditje shumë e rëndë për ekonominë amerikane. Nga një dollar që vlente edhe 1,6 euro u arrit që një dollar të vlente edhe 0,7 euro, pra më pak se gjysma; çka përkthehet se brenda 5-6 viteve amerikanët e panë veten dy herë më të varfër se evropianët; kjo e izoloi edhe më tepër ekonominë amerikane duke e bërë më pak konkurruese, më të prekshme nga kriza.
Arsyeja e dytë, dhe ndoshta kryesorja, ka të bëjë me luftën në Irak. Bush shpresonte të kishte një luftë të ngjashme me atë të babait të tij, ku ai duke zbrazur magazinat e armëve të luftës do të incentivonte drejt prodhimit këtë industri të rëndësishme të ekonomisë së Sh.B.A dhe me përfitimet në terren nga nafta do të mbyllte humbjet që i sillte Euro. Ndaj, ndonëse e gjetën një fuçi nafte në vlerën 25-26 dollarë – për të përballuar shpenzimet në rritje të luftës - ata shpejt e çuan çmimin e një fuçie në gati 150 dollarë (duke tejkaluar dhe kërkesën e Bin Ladenit për 120 dollarë), dhe kjo ishte e papranueshme për ekonominë botërore, fuqia motorike e së cilës ushqehet kryesisht nga nafta. Kjo solli një rritje të kostos së prodhimit, rritje të çmimeve në të gjithë botën dhe një rritje të frymës antiamerikaniste (ose më saktë antiadministratës Bush) në të gjithë botën. Por kjo solli dhe një superfitim të jashtëzakonshëm për të gjitha vendet prodhuese të naftës – Rusia po fitonte reth 150 milion euro në ditë, sheikët arabë shumëfishuan investimet - dhe kjo situatë solli ndryshimin e raporteve ekonomike në Botë, në këtë rast në disfavor të Evropës. Rusia filloi pretendimet për rikrijimin e një kampi të ri dhe Venezuela (një nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë ) u aderua menjëherë. Të gjitha këto ishin goditje për ekonominë amerikane.
Por ka dhe një arsye të tretë ekonomiko – shoqërore e cila në këtë rast fillon nga Eurozona. Me kalimin nga monedhat e veçanta në euro, vendeve evropiane iu desh të bënin një ratifikim teknik të çmimeve dhe rrogave ku për një qëllim të caktuar strategjik këta tregues u dyfishuan. Por, ndërsa ishte mjaft e lehtë të dyfishohej çmimi i domateve, pantallonave apo edhe i qirave nuk ishte e njëjta gjë për çmimin e automjeteve, makinerive dhe sidomos të botës imobiliare së cilës iu desh edhe më shumë kohë të inkuadrohej në kornizën e re ekonomike. I njëjti fenomen u pasqyrua dhe në Amerikë. Në këto vite – në të dy kontinentet - u shfaq, sidomos në mes emigrantëve, një mani e blerjes së shtëpive, të cilat, me shtrenjtimin e jetës në kuadrin e ri ekonomik, u bënë më të vështira për t’u paguar. Megjithëse administrata Bush uli disa herë koston e monedhës, prapëseprapë emigrantët amerikanë filluan në masë të mos paguanin këstet e shtëpive (në Sh.B.A janë të gjithë emigrantë, por me ketë emertim ata kuptojnë afro-amerikanët dhe sidomos “spanjollët’, amerikanojugorët, pra popullsitë me më pak kërkesa.). Në Perëndim (për si zhvillohen praktikat e sistemit të drejtësisë) nga momenti që qytetari nuk paguan këstet e deri tek momenti që shtëpia shitet në ankand kalojnë më shumë se pesë vjet dhe kuptohet se çfarëdo banke qoftë n.q.se në vite nuk merr paratë e saj nga një numër i madh kreditorësh, do të ketë një falimentim të sigurt.
Përveç kësaj, në Perëndim është lejuar edhe ngritja e një numri të pafund shoqërish financiare të cilat operojnë me klientët e refuzuar nga bankat dhe u japin këtyre kredi (po nga bankat) në kushte edhe më të rënda, natyrisht. Të gjitha këto situata – në kushtet e një krize globale botërore, por të shprehur më dukshëm në Sh.B.A, sollën këtu së pari këputjen e hallkës së madhe të zinxhirit ekonomik, mosriparimi i së cilës mund të shkaktojë këputjen e shumë hallkave të tjera. Kjo sepse një bankë e madhe si Lemon Brothers “i ka duart” jo vetëm në shumë degë të ekonomisë, por edhe në shumë vende të tjera edhe jashtë Sh.B.A. Bankat lidhen me mijëra transaksione ditore midis tyre dhe mjafton një bankë të mos paguajë, për të futur një frymë mosbesimi midis bankave, të bllokojë kooperimin e gjithë sistemit financiar. Kjo pasqyrohet brenda orës në Bursë dhe një tërmet në Wall Street përhap një valë cunami në të gjitha bursat e botës: një ditë më pas e gjithë bota ngrihet nga gjumi më e varfër. Ja pse qeveria amerikane ndërhyn me qindra miliarda për të ndihmuar bankat, por nuk i jep asgjë kompanive gjigante si “General Motors”. Kuptohet se në kushtet që ndodhet sot bota çështja nuk mund të lihet në dorën e fshehtë të Adam Smithit, ajo do të na çonte në një tjetër krizë botërore të tipit 1928 ndaj administrata Bush vendosi të bëjë edhe një ndërhyrje të dytë për të pastruar mirë çdo njollë të zesë në financat e tyre. Dollari ngrihet me shpejtësi, çmimi i naftës bie, ekonomia botërore i drejtohet “normalizimit”.
“Përse nuk ndihet kriza tek ne?”- mund të thotë dikush. Këtu ngelet për t’u sqaruar dhe diçka tjetër. Kur flasin për krizë në perëndim ata kuptojnë se s’mund të blejnë dot më makinën e luksit 60 mijë euroshe, por do ta blejnë 40 mijë euroshe, nuk do të blejnë dot më një çantë 2000 dollarë, por do ta blejnë 1000 dollarë, nuk do të hanë 5 herë në muaj në restorant, por do hanë tre herë, thënë më troc: në qoftë se ne “nuk e ndjejmë krizën“ kjo ndodh për faktin se ne jemi gjithmonë në krizë. Ne kemi më shumë se gjysëm milioni që jetojnë me më pak se 50 dollarë në muaj, 90% e popullsisë konsumon më pak se 10% i të pasurve dhe këto janë tregues të një superkrize. N.q.se 10% e popullsisë ka një ekonomi që zhvillohet me 5 apo 6%, kjo nuk do të thotë se Shqiperia po lulëzon, kur 90% e popullsisë ka probleme mbijetese. Problemi është se tek ne, Bode me shokë deklaron se shtetit as që duhet t’i shkojë ndërmend të ndërhyjë në çmimet e tregut të lirë duke i lënë kështu dorë të lirë kapitalistëve tanë që në rast krize jo vetëm të mos ndajnë shtrenjtimin, por edhe të rrisin fitimet duke shkarkuar të gjithë shtrenjtimin në kurriz të konsumatorit. Ja pse 10% -shi (i cili ka dhe të drejtën e fjalës ) “nuk e ndjen krizën“ që e vuan 90%-shi tjetër. Kështu bën edhe Fullani që nuk shet as domate e as makina, ai shet lek dhe ngre çmimin e lekut, kur gjithë bota e ul atë. Fullani i ngjan atij kapitenit të keq që anijes që përballet me stuhinë: i heq dërrasat për të ndërtuar një barkë personale. E kush më shpejt se një italian do ta kopjonte këtë lloj politike? Një ditë pas Fullanit del dhe drejtori i bankës San Paulo dhe deklaron se do ngrejë koston e lekut “sepse jemi treg i lirë“. Në Italinë e tij çdo bankë nuk mund të japë kredi me një interes mbi 12% sepse do të quhej fajde dhe çdo drejtor banke do hynte në burg. Bankat tek ne operojnë me 15 – 20% (ndaj dhe qeveria jonë kërkon kredi jashtë) dhe ky italian i vertetë kërkon ta rrisë akoma interesin: ja pse edhe pas 20 vjetësh nuk dalim dot nga tranzicioni; shumë nga “udhëheqësit” tanë kujtojnë se kapitalizmi është ekonomi e lirë pa kufizime ligjore. Do presim (por fatkeqësisht edhe do vuajmë) deri sa këta zotërinj të maturohen e ta kuptojnë se kapitalizmi ka shumë më tepër ligje dhe ndërhyrje se sa socializmi. Edhe pse kemi ende një kapitalizëm tradicional (pra jo me rreziqet që do të kishim po të ishim organizuar ndryshe) ne nuk jemi aspak jashtë sistemit; sidomos sistemi ynë financiar (por edhe ekonomia) është tërësisht i varur nga sistemi botëror dhe nga kjo krizë më të mbrojtur do të ishin p.sh. fqinjët tanë të cilët kanë ekonomi më autosuficente. Ndryshimi është se në çdo vend të botës ka ligje (të cilat i ka pasë dhe Ali Pashë Tepelena në shtetin e vet) të cilat nuk lejojnë që pasojat e krizës të shkarkohen mbi pjesën më të varfër të popullsisë, ndërsa tek ne punëtorët ende nuk kanë zë të përcaktojnë as rrogën e tyre.
Për hir të së vërtetës duhet të përmendim edhe dy forca të mëdha që amortizojnë efektet e krizës në Shqipëri. Së pari, ekonomia shqiptare merr një ndihmesë të jashtëzakonshme nga emigrantët e vet. Në të gjitha format që hyn ky lek, si ndihmë për bukën e gojës apo si investim në atdhe, janë çdo vit miliona dollarë që shpërndahen në Shqipëri duke mbushur boshllëqet që hap kriza dhe dihet se s’ka asnjë komb tjetër në botë të dërgojë kaq shumë valutë sa shqiptarët (është tjeter punë që politika jonë nuk di ta mbajë këtë lumë lekësh, por rri e kërkon investitorë nëpër botë).
Një faktor tjetër amortizues për rastin tonë është ekonomia informale. Dihet se në Shqipëri punohet më shumë në të zezë se në rregulla. Kjo do të thotë se ekonomia informale mund të jetë (për nga volumi i qarkullimit monetar) edhe e barabartë me ekonominë formale. Në këtë rast kjo ekonomi - po e jona - bëhet një dorë mbështetje e fuqishme për zbutjen e krizës, ndaj politika e Qeverisë ndaj kësaj fete ekonomike duhet të jetë shumë e kujdesshme, aspak armiqësore, por në mënyre miqësore të ndiqen politika që e shoqërojnë atë drejt formalizimit.
Nuk do rri pa përmendur këtu dhe të ardhurat nga trafiqet (por jo nga korrupsioni i cili prodhon krizë). Nuk janë naivë ekonomistët e Zvicrës dhe Hollandës që lejojnë një farë qarkullimi të kontrolluar të drogës në këto vende. Kjo liri sjell një fluks jo të vogël paraje çka fuqizon ekonominë e tyre dhe ata nuk kanë problemin e namit të keq që kemi ne. Sidoqoftë duhet të pranojmë se ende një pjesë jo e vogël e shqiptarëve në Evropë janë të përfshirë në këto trafiqe dhe të ardhurat e tyre janë një tjeter dorë e fuqishme ndihmese në zbutjen e krizës.
Le të shpresojme që Qeveria jonë t’i lërë teoritë eksperimentale të një kapitalizmi të ri e të panjohur dhe të fillojë të marrë masa konkrete si zhbllokimi i lejeve te ndërtimit, çka do rivinte në moto ekonominë e ndërtimit (pra një pjesë të madhe të ekonomisë sonë), dhënia e përparësisë së firmave shqiptare në ndërtimin e rrugëve (në mënyrë që lekët tona të ngelen këtu e të riqarkullohen shumë herë), tërheqja e kapitaleve të huaja, etj. Aq më tepër në kushtet e krizës investitorët e kujdesshëm kanë nevojë për kosto të ulët prodhimi të cilën mund ta afrojë Shqipëria. Pra, me një politikë mjaft energjike mund ta kthejmë situatën edhe në favorin tonë, por kjo kërkon shumë punë e energji, e mbi të gjitha vizion dhe vullnet të kundërt nga ai i zotit Fullani dhe këshilltarëve të Kryeministrit tonë.