Fazlliç: Do padis Mero Bazen, ta bëj shembull për gazetarët e tjerë
Sekseri serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i njohur për lidhjet e tij me familjen kryeministrore dhe i denoncuar në gazetën “TemA” për aferat e tij tha dje se do të ngrejë padi për shpifje ndaj saj.
I akuzuar për pastrim parash dhe përzierje në disa nga aferat më skandaloze qeveritare, Fazlliç tha dje se do ngrejë padi dhe këtë gjë nuk do e bëjë në Shqipëri, por në Angli, e madje jo në një gjykatë të thjeshtë, por në Gjykatën e Lartë të Anglisë, e cila merr për shqyrtim çështjet më të rëndësishme të këtij shteti. Kjo gjykatë pranon për shqyrtim vetëm pesë për qind të kërkesave që i bëhen dhe ato janë për probleme madhore, por për një mashtrues dhe sekser broçkulla të tilla janë normale.
Por Fazlliç ka kërcënuar se kjo padi do të shërbejë si shembull për gazetarët e tjerë.
“Kur media abuzon lirinë e saj duke zgjedhur të injorojë të vërtetën në favor të gënjeshtrave të fabrikuara dhe të dëmshme, ajo pushon së ushtruari një funksion publik të mbrojtur e të nevojshëm dhe shndërrohet në një forcë të dëmshme që mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj para ligjit. Kam besim se dhe gënjeshtrat dhe thashethemet që zoti Baze ka botuar në lidhje me mua, do të vërtetohen që janë pjesë e kësaj kategorie të pambrojtur veprimesh dhe ai do të mbahet përgjegjës për to. Për më tepër, përgjegjësia me të cilën besoj se do të ndeshet z. Baze si pasojë e veprimeve të tij, do të shërbejë si kujtesë për të gjithë njerëzit e medias se, ndonëse liria e tyre e shprehjes është një aspekt i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i një shoqërie të lirë dhe demokratike, kjo liri mbart detyrimin dhe përgjegjësinë për të raportuar të vërtetën ndaj publikut”, - thuhet në deklaratën e avokatëve të Fazlliçit.
“Natyrisht, z. Baze do të ketë të drejtën të mbrohet gjatë këtij procesi dhe do të ketë kështu mundësinë për të paraqitur prova, nëse ka ndonjë të tillë, për të vërtetuar që botimet e tij të shumta rreth meje kanë ndonjë mbështetje tjetër përveçse thashethemeve të pabaza dhe fabrikimeve. Sidoqoftë, jam i sigurt se z. Baze nuk ka prova, sepse të tilla nuk ekzistojnë dhe pres me padurim të përballem me të në sallën e gjyqit”, - vijon më tej deklarata e tij.
Në përfundim të deklaratës së tij Fazlliç thotë se “kam si qëllim që çdo lloj dëmshpërblimi që do të marr nga z. Baze t’ia dhuroj shoqatës bamirëse “Fëmijët e Srebenicës” (“Djeca Srebrenice”)”.