E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Politeknikut ngelin pa diploma

 

Kanë mbaruar shkollën e lartë por kanë mbetur pa diplomë. Qindra studentë të Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm pranë Universitetit Politeknik kanë mbetur pa diplomë nuk mund të vazhdojnë masterin në degët e tyre. Pa marrë asnjë zgjidhje nga Ministria e Arsimit, studentët nisën dje protestën e tyre. Ata paralajmëruan se nuk do të futen në auditorë deri sa të kenë në dorë diplomat. Dekanja e Fakultetit Tatjana Mulaj, tha se nëse MASH nuk ndryshon vendimet e marra, profesorë dhe studentë do vazhdojnë pa afat grevën. "Deformimi është aq i madh sa departamentet që ishin më vete dhe mund të jepnin dokumente, tani që janë të grupuara në një fakultet nuk ka të drejtë të japin asnjë prej këtyre diplomave", tha  Mulaj. Studentët kërkojnë ndryshimin e statusit të fakultetit, si dhe vazhdimin e dy cikleve të studimit. Ata kanë firmosur një peticion të cilin ja kanë drejtuar Kryeministrit por edhe Ministrit të Arsimit Fatos Beja. Për zgjidhjen e këtij ngërçi, është angazhuar edhe kryeministri Berisha, por çështja ka mbetur ende pezull.
"Ne kërkojmë Ndryshimin e statusit të Fakultetit (të hiqet fjala e "Fakultet i asociuar"). Si dhe ndryshmin e emrit të Fakultetit", thuhet në peticion. Sipas studentëve, Senati i këtij Universiteti me vendim Nr.6, të marsit 2006, ka miratuar një projekt "Për hapjen e Fakultetit të Inxhinierisë, Matematikë dhe Fizikë", në zbatim të udhëzimeve të MASH, që preknin disa departamente të atashuara pranë Rektoratit të UPT. Ky projekt u hartua, pas një pune gati dyvjeçare, nga një grup pune i zgjedhur nga Senati i UPT,  i përbërë nga 11 përfaqësues nga të gjithë fakultetet e UPT, me titull Profesor dhe Kancelari i Universitetit. Këtë Projekt MASH-i e deformoi në "Fakulteti i Formimit të Përgjithshëm", me status fakultet i Asociuar pa asnjë vërejtje paraprake. Pasojë e këtij deformimi nuk mund të ngrihet Këshilli i Profesorëve të këtij Fakulteti, i cili bën të mundur kualifikimin e stafit të ri të pedagogëve të Fakultetit. Stafi i këtij Fakulteti ka në përbërje 34 pedagogë me gradën  doktor, 11 profesorë të asociuar dhe 12 profesorë. Programet e diplomave që lëshonin departamentet përkatëse janë të njëjta me programet e Universitetit Politeknik të Milanos. "Me dosjen e Fakultetit është njohur dhe Kabineti i Kryeministrit Sali Berisha dhe vetë Kryeministri në takimet me drejtues të UPT dhe FFP ka vlerësuar pozitivisht kërkesat e fakultetit. Kabineti i Kryeministrit me një shkresë dërguar Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja  ka porositur shqyrtimin e problemit dhe ndërmarrjen e iniciativave të për të bërë ndryshimet e nevojshme", sqaron Këshilli i Fakultetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›